Emir Sahiti pati fillim të ngadaltë qëkur u transferua te Hamburgu nga Hajduku i Splitit në verë.
Mediumi i madh gjerman “Bild”, ka shkruar të shtunën se ai nuk ishte në formën më të mirë fizike, dhe bashkë me transferimin tjetër Lucas Perrin, kishin lëndime dhe paraqitje jo të mira.
Këtë e kishin të përbashkët, shkruan tutje gazeta gjermane.
Por, në përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit në Belek të Turqisë, rruga e Sahitit dhe Perrinit, ka filluar të ndahet.
“Sahiti ka shkëlqyer duke shënuar dy herë në fitoret në miqësore, 2:0 ndaj Aachenit dhe 2:1 ndaj FCSB-së. Perrin, nuk ishte në gjendje ta shfrytëzojë mungesën e liderit të mbrojtjes, Serbastian Schonlau, për të zënë vend në përbërjen e parë”, shkruan “Bild”.
Trajneri 34-vjeçar i Hamburgut, Merlin Polzin, ka nisur admirimin për futbollistin që ka pesë paraqitje e një gol të shënuar me Kosovën.
26-vjeçari kishte realizuar në mënyrë impresive me të majtën kundër Aachenit, ndërsa në stërvitje vazhdimisht realizon gola të bukur me të djathtën nga distanca, apo duke dribluar. Pikërisht duke dribluar e duke vrapuar nga distanca prej 35 metrave larg portës, Sahiti kishte shënuar gol kundër FCSB-së.
“Emiri është futbollist klasik i krahut të djathtë. Por ai mund të luajë edhe në të majtën. I shfrytëzon shumë mirë situatat një kundër një”, shpjegon Polzin.
“Këtë mund ta shihni edhe në stërvitje, kundër Aachenit dhe kundër FCSB-së. Është jashtëzakonisht i rrezikshëm”.
Çelësi i suksesit për Sahitin është puna e vazhdueshme.
“Kemi krijuar situata në stërvitje në mënyrë që lojtarët të mund ta gjejnë veten më së miri nëpërmjet përsëritjeve të shumta. Dhe kjo ka funksionuar shumë mirë për Emirin, për të cilin jam shumë i lumtur”, thotë Polzin.
Në sytë e Polzinit, futbollisti nga Kosova tani ka përparim shumë të madh.