Agnes Keleti, e mbijetuara e Holokaustit dhe medaliste e shumëfishtë olimpike, vdiq të enjten në moshën 103-vjeçare, ka raportuar agjencia “AP”.
Keleti ishte shtruar në spital në gjendje kritike me pneumoni më 25 dhjetor.
Ajo kishte fituar total dhjetë medalje olimpike në gjimnastikë, përfshirë pesë të arta, për Hungarinë në Lojërat Olimpike në Helsinki në vitin 1952 dhe Melbourne në vitin 1956.
Ajo i mbijetoi Holokaustit, ku humbi babanë dhe disa familjarë dhe u bë një prej olimpistëve më të suksesshme hebraike.
“Jetoj mirë dhe e dua jetën. Jam ende shëndosh”, kishte thënë Keleti në prag të ditëlindjes së 100-të.
E lindur në Budapest në vitin 1921, karriera e saj u ndërpre fillimisht gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe anulimit të Lojërave Olimpike të viteve 1940 dhe 1944.
Ajo i kishte mbijetuar Holokaustit pasi kishte marrë një identitet fals dhe kishte punuar si shërbëtore.
Nëna e saj dhe motra i mbijetuan luftës falë ndihmës së diplomatit suedez Raoul Wallenberg, por babai i saj dhe disa familjarë tjerë u vranë në Auschwitz.
Keleti ishte paraparë të garonte në Lojërat Olimpike të vitit 1948 në Londër, por mori një lëndim në momentet e fundit.
Katër vjet më vonë, në Helsinki ajo bëri debutimin në Lojërat Olimpike në moshën 31-vjeçare.
Fitoi një medalje të artë, një të argjendtë e dy të bronzta. Në Lojërat Olimpike të vitit 1956 në Melbourne, ajo ishte më e suksesshmja, duke fituar katër të arta e dy të argjendta.
Derisa ajo po bëhej medalistja më e vjetër e artë në gjimnastikë në moshën 35-vjeçare në Melbourne, Bashkimi Sovjetik kishte pushtuar Hungarinë pas një kryengritje të pasuksesshme antisovjetike. Keleti mbeti në Australi dhe kërkoi azil politik. Më pas migroi në Izrael dhe punoi e stërviti ekipin e gjimnastikës së Izraelit deri në vitet ’90.