Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka fituar miliona euro nga paraqitja dy herë rresht në grupet e Ligës së Konferencës të UEFA-s si dhe nga shitja e lojtarëve.
Megjithatë, Ballkani ka ende obligime financiare ndaj ish-lojtarëve, disa prej tyre shumë të rëndësishëm. Klubi suharekas ka ende borxhe të pashlyera.
Borxhi konfirmohet nëpërmjet sistemit TMS të FIFA-s, platformës digjitale të krijuar për të menaxhuar dhe monitoruar transferimet ndërkombëtare të lojtarëve.
Ballkani aktualisht e ka të pamundur të bëj transferime për shkak të borxheve. Por nuk është klubi i vetëm i Kosovës që e ka të bllokuar mundësinë për të transferuar lojtarë.
Do ta ketë të bllokuar derisa të shlyejë borxhin, apo të merret vesh me palët ndaj të cilave ka obligime financiare.
Të bllokuar sistemin e kanë edhe Dukagjini dhe Feronikeli 74. Te Feronikeli 74 pranojnë se kanë një borxh të vjetër të pashlyer, ndërsa te Ballkani as nuk pohojnë e as mohojnë borxhet.
“Prej të hënës fillojnë njoftimet nga FIFA TMS. Nesër e dimë më saktë”, ka thënë drejtori i klubit Ballkani, Arben Osmani, për KOHËN.
Ai nuk ka dhënë më shumë detaje.
KOHA ka mësuar se Ballkani borxhin më të madh të pashlyer e ka ndaj ish-lojtarit, Leonit Abazi.
Osmani ka thënë se rasti i Leonit Abazit ende nuk ka përfunduar. Ka theksuar se lënda është ende është në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Siç i kanë thënë KOHËS burime të afërta me lojtarin, Abazi ka fituar rastin dhe Ballkani do të duhet t’ia paguajë rreth 300 mijë euro.
Abazi nuk u është përgjigjur mesazheve dhe telefonatave të KOHËS.
Një lojtar që ka luajtur rol të rëndësishëm në sukseset e Ballkanit thotë se klubi suharekas ka obligime ndaj tij.
“Kam pritur tre muaj të më kontaktojnë nga klubi, por asgjë dhe vendosa t’i drejtohem FIFA-s. Nuk ka të bëjë bllokada me rastin tim, sepse unë ende jam në proces. Nuk e di nga kush, por prej meje jo, pasi ende nuk ka përfunduar”, ka thënë një ish-lojtar i Ballkanit. Pra klubi suharekas mund të ketë telashe të kësaj natyre edhe në të ardhmen.
Edhe një tjetër ish-lojtar ka thënë se Ballkani i ka mbetur borxh.
Por kampioni në fuqi nuk është klubi i vetëm që nuk kryen me kohë obligimet ndaj lojtarëve.
KOHA më 3 nëntor të vitit të kaluar kishte shkuar për borxhe të pashlyera të Feronikelit 74 ndaj ish-lojtarëve.
FIFA e kishte obliguar Feronikelin 74 t’i shlyejë borxhet ndaj lojtarëve e trajnerëve, si “trashëguese sportive” e klubit të futbollit Feronikeli.
Drejtuesit e Feronikeli 74 janë ende duke kthyer borxhe ndaj lojtarëve e trajnerëve.
Rreth 700 mijë euro është shuma e obligimeve që kishte kryesia e Feronikelit. Gjithë këto borxhe janë mbledhur prej 2019-s, vit kur Feronikeli fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Pos ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, Feronikeli borxh ka edhe ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës. Obligimet ndaj shtetit i bart Naser Ramaj, i cili ende figuron si kryetar i klubit Feronikeli në Departamentin për Organizata Jo-qeveritare (OJQ).
“Të hënën e dimë saktë, por sido që të jetë sipas informatave që i kemi bëhet fjalë për një obligim shumë të vjetër për një lojtar. Nuk është vlera e madhe dhe kjo rregullohet gjatë javës që vjen. Nuk e di saktë se për cilin dhe sa është shuma, por nuk ishte e madhe. Të hënën dihet dhe e mbyllim këtë obligim dhe vazhdojmë normalisht. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi asnjë obligim. Jemi zero me të gjitha edhe me paga edhe me obligime tjera”, ka thënë zyrtari i klubit Feronikeli 74, Ekrem Elshani.
Dukagjini po ashtu e ka të bllokuar transferimin e lojtarëve për shkak të obligimeve të pashlyera.