Mesfushori Granit Xhaka u kritikua nga mediumet e Zvicrës se nuk dha maksimumin në ndeshjen e parë dhe të dytë që Zvicra e zhvilloi ndaj Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024. Zvicra dhe Kosova do të kenë tjera përballje në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Por Xhaka nuk preferon të paraqitet në këto dy ndeshje ndaj Kosovës.

Kapiteni Xhaka jep arsyet pse ka preferuar të mos paraqitet ndaj “Dardanëve”.

“Me të vërtetë nuk e doja këtë short”, thotë Xhaka në intervistën për gazetën zvicerane “Blick” të premten. 

Por, ai e ka pranuar situatën ashtu siç është. Thotë se me moshën dhe karrierën që e ka bërë deri tani, mund të përballet edhe me situata të pazakonta. 

“Jam profesionist mjaftueshëm që ta jap më të mirën për 90 minuta”. 

Ai tani i kontrollon emocionet më mirë se që ka bërë kur ishte i ri. Sporti dhe përkushtimi te përfaqësuesja e Zvicrës janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. 

“E kam zgjedhur Zvicrën dhe nuk i bie pishman. E mbaj veshur këtë fanellë me krenari të madhe. Ndryshe, nuk do të luaja në 135 ndeshje me përfaqësuesen”, thotë Xhaka, që mban rekordin me më së shumti paraqitje te Zvicra. 

Zvicra e pret Kosovën më 5 shtator të këtij viti në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Botërorin 2026. Kualifikimet i mbyllin në Prishtinë më 18 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen Kosova – Zvicra. 

Në Grupin B kualifikues pas shortit të tërhequr në Cyrih në muajin dhjetor, bashkë me Kosovën e Zvicrën janë edhe Suedia dhe Sllovenia.  

Zvicra vlerësohet favorite e grupit, por Xhaka ka thënë se nuk do të donte të luante ndaj Kosovës. Këtë e ka përmendur në një intervistë të gjatë dhënë për gazetën zvicerane të premten. Xhaka thotë se preferonte të shmangte tre kundërshtarë. Përveç Kosovës, edhe Shqipërinë dhe Serbinë. 

Xhaka aktualisht është njëri prej mesfushorëve më të mirë në botë. 

32-vjeçari debutoi me Zvicrën në moshën 18-vjeçare, kur selektor në atë kohë ishte Ottmar Hitzfeld. 
Vlerësohet si lider i padiskutueshëm, kapiten, dhe njeriu më i rëndësishëm në lojën e përzgjedhësit të tanishëm, Murat Yakin. 

Por në intervistën e fundit, Xhaka ka dhënë sinjale se mund të pensionohet nga Përfaqësuesja e Zvicrës pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, që në vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Ndoshta ai Botëror do të jetë i fundit për mua. Jo vetëm për mua, por ndoshta edhe për shumë të tjerë. Ne nuk po shkojmë duke u bërë të rinj. Si unë janë edhe Ricardo Rodriguez e Remo Freuler, e ndoshta edhe katër apo pesë të tjerë”, ka deklaruar Xhaka. 

Pas Kupës së Botës, Xhaka, Rodriguez dhe Freuler do të jenë 34-vjeçar. 

“Për t’i shmangur keqkuptimet, unë nuk po e mendoj aspak mundësinë që të tërhiqem nga përfaqësuesja. Por shumë larg mendimeve, është një skenar që Kupa e ardhshme e Botës, të jetë turneu im i fundit”. 

Xhaka thotë se do ta bëjnë të pamundurën që bashkë me shokët tjerë, të arrijnë në turneun final vitin tjetër. 

Zvicra pati kampanjë jo të mirë në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve. 

Në Grupin A4 mori vetëm dy pikë nga gjashtë ndeshje dhe ra në Ligën B. 

Ndeshjet e fundit ishin si miqësore, thotë ish-mesfushori i Baselit. Ekipi tashmë ka pësuar ndryshime të shumta, sidomos edhe pas largimit të Xherdan Shaqirit, Yann Sommerit e Fabian Scharit. 

Ai thotë se këta lojtarë do të jenë vështirë të zëvendësueshëm. 

“A do të jetë e mundshme t’i zëvendësojmë në të ardhmen? Një pikëpyetje e madhe”, thotë Xhaka, që duket i shqetësuar për të ardhmen e përfaqësueses. 

“A e ka Zvicra të njëjtin potencial për të përjetuar të njëjtat suksese që i kemi pasur ne në dhjetë vitet e fundit? Kjo është pyetja ime. Kemi disa lojtarë të talentuar që kanë dalë jashtë vendit shumë herët. A luajnë rregullisht? Po dhe jo. Ndonjëherë nuk e shoh dëshirën e vazhdueshme nga ta për të pasur suksese vazhdimisht në karrierë”, ka deklaruar Xhaka.

Kosova dhe Zvicra kanë zhvilluar tri ndeshje në të kaluarën, dy ndeshje kualifikuese për “Euro 2024”, dhe një ndeshje miqësore. 

Të gjitha kanë përfunduar me rezultat të barabartë, ndërsa Xhaka ka luajtur në të tria prej këtyre ballafaqimeve.