Pas vetëm gjysmë viti, Taulant Xhaka duhet t’ia dorëzojë Xherdan Shaqirit shiritin e kapitenit. Një sezon i vështirë i deritashëm mund të bëhet shumë shpejtë pak më i komplikuar për veteranin e Baselit
Taulant Xhaka do të ketë kujtime të veçanta nga humbja 1:0 në shtëpi nga Grasshopperi, në fund të stinorit vjeshtor. Jo sepse veterani i Baselit luajti nga fillimi për herë të parë në këtë edicion në Superligën e Zvicrës.
Xhaka do ta mbajë mend atë ndeshje pasi në paraqitjen e 409-të për klubin, për herë të parë, të vetme dhe të fundit e udhëhoqi skuadrën në fushë si kapiten zyrtar i Baselit.
Siç njoftoi Baseli të shtunën gjatë miqësore kundër Thunit, kapiten i ri i Baselit është Xherdan Shaqiri.
Xhaka duhet të kthehet në vendin e dytë vetëm disa muaj pasi ai pasoi rekordmenin, Fabian Frei.
Trajneri Fabio Celestini shpjegon se e ka pasur në mendje ndryshimin e kapitenit qëkur Shaqiri u kthye në Basel.
“Shaqiri është numri një në skuadër për sa i përket përvojës dhe cilësisë. Është logjike që ai të bëhet kapiten”, tha trajneri i Baseli.
Vetëm 196 minuta në Superligë
Vendimi “nuk ishte problem” për Xhakën. Dhe vetë lojtari i zhvilluar në Basel, tha në një intervistë të gjatë për “Blick” në shtator: “Ne të gjithë i dimë rolet tona në ekip. Kështu që nuk ka shumë rëndësi se kush e mban shiritin e kapitenit”.
Por kushdo që e njeh lojtarin që qëndroi më së gjati te Baseli, e di saktësisht se Xhaka definitivisht nuk është i lumtur për marrjen e shiritit të kapitenit.
Nga këndvështrimi sportiv, ka kuptim. Xhaka ishte në fushë vetëm 196 minuta në stinorin vjeshtor të Superligës. Nëse i heq 78 minutat kundër Grasshopperit, bilanci është edhe më katastrofal.
Është edhe më e hidhur që paraqitja e vetme e Xhakës si titullar këtë edicion, mund të nënkuptojë se do të ketë edhe më pak minuta për të në stinorin pranveror. Në Basel, Xhaka, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, shihet i vlefshëm si zëvendësues. Në të njëjtën kohë, që nga humbja 1:0, është ngritur pyetja nëse lojtari është fare kandidat për të startuar.
Baseli mendon përforcime në mesfushë
Pas ndeshjes testuese kundër Thunit, drejtori sportiv, Daniel Stucki, shpjegoi se gjatë dimrit është menduar angazhimi i lojtarëve të rinj. Nëse në javët e ardhshme do të krijohej një mundësi e mirë për të nënshkruar me një tjetër mesfushor qendror, skuadra e Baseli vështirë se do t’i rezistonte. Pas Leon Avdullahut, Romario Baro dhe Leo Leroy, Xhaka aktualisht është i katërti në radhë. Megjithatë, duke parë që Celestini ka angazhuar në fushë tre mesfushorë qendrorë disa herë këtë edicion, transferimi i një tjetër lojtari do të kishte padyshim kuptim.
“Jam gati kur trajneri ka nevojë për mua”, tha Xhaka në intervistën e vjeshtës për “Blick” për rolin e tij si rezervist.
Trajneri mund të ketë më rrallë nevojë për Xhakën, nëse Baseli forcon skuadrën në dimër.