Në mesin e gushtit të vitit të kaluar, Xherdan Shaqiri u nda me skuadrën amerikane Chicago Fire dhe firmosi me Baselin.

Baseli tashmë është prej skuadrave pretendente për titull në Zvicër, ndërsa është ngritur shumë në krahasim me edicionin e kaluar. Kjo edhe falë paraqitjeve dhe kontributit të ish-yllit të përfaqësueses së Zvicrës.

Shaqiri e vlerëson hap të duhur kthimin në futbollin zviceran, përkatësisht te Baseli. Ai tashmë ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror, ndërsa në një intervistë për “20 Minuten” ka folur për tema të ndryshme.

“Më shumë mendoj për të ardhmen se për të kaluarën. Por në male, kur isha në ajër të pastër, kam menduar për kthimin. Kam lënë trakën të kthehet në kokën time dhe është vërtet një rrëfim i bukur: kthimi im dhe si gjërat po shkojnë për momentin. Tani dua të qëndroj lart me Baselin”, ka thënë Shaqiri.

Ai kontribuoi me pesë gola e tetë asistime në 14 paraqitje kampionale për Baselin në pjesën e parë të edicionit.

Baseli është i dyti me 30 pikë, një më pak se Lugano. 30 pikë i ka edhe Lausanne në vendin e tretë, ndërsa nga 29 i kanë Luzerni e Servette.

Shaqiri thotë se është i lumtur që stërvitjet kanë nisur tashmë, ndërsa ka treguar se e ka shijuar pushimin. Ai i ka kaluar ditët e pushimit në Zvicër, pasi thotë se ka udhëtuar shumë në vitet e fundit. Lojtari ofenziv ka shijuar ditët me familjen dhe kolegët.

Shaqiri është pyetur edhe për ligën zvicerane.

“Është interesante. Në të kaluarën shpesh Baseli apo Young Boysi kishin 10, 12 pikë më shumë në pushimin dimëror. Nga kjo pikëpamje, është më mirë që gara është e fortë. Në futboll je gjithnjë i lumtur kur ke për çka të luftosh”, ka thënë 33-vjeçari.
Ai ishte larguar nga Baseli në vitin 2012, ndërsa luajti për skuadra si Bayern, Inter, Stoke City, Liverpool, Lyon e Chicago. Karrierën te Zvicra e përfundoi verën e kaluar, pas 125 ndeshjeve e 32 golave.

Tani po e kërkon titullin me Baselin.

“Kemi luajtur mirë në pjesën e parë dhe jemi një pikë prapa liderit. Nëse shihni se ku ishte Baseli para një viti, atëherë vërtet kemi luajtur një pjesë të parë të mirë të edicionit. Natyrisht, mund të përmirësohemi gjithnjë. Ende na mungon pak vazhdimësia, duhet të jemi më të mirë në këtë. Dhe kjo është e domosdoshme nëse duam të luftojmë për titull”, ka thënë Shaqiri.

Ai e ka bërë të qartë se Baseli do ta “sulmojë” titullin e kampionit. 

Baseli po përgatitet në Zvicër, si pak skuadra të Superligës helvetike. Shumica e skuadrave kanë vendosur për vende më të ngrohta, por jo edhe Baseli.

“Është gjithnjë mirë në Zvicër. Edhe në këto temperatura. Qartë, kushtet për stërvitje mund të jenë më të mira, por po nxjerrim më të mirën. Dhe po bëhet më mirë. Jemi të lumtur që kemi filluar sërish”, ka theksuar ylli shqiptar i futbollit.

Te Baseli janë edhe disa shqiptarë të tjerë.