Është publikuar të premten lista preliminare e kategorizimit të sportistëve dhe trajnerëve kosovarë.
Ashtu si pritej, në krye të listës është xhudoja, që i ka plot 17 sportistë të kategorizuar. Kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova i kanë nga 100 pikë. Fituesja e medaljes së bronztë olimpike, Laura Fazliu, i ka 80 pikë, ndërsa Akil Gjakova është kategorizuar me 60 pikë. Pasojnë Erza Muminoviq, Fatjona Kasapi, Flaka Loxha me nga 30 pikë si dhe Dardan Cena, Dion Sharapolli, Debora Gjakova, Shpati Zekaj me nga 20 pikë. Me nga 10 pikë janë vlerësuar Anes Veseli, Muhamedin Veseli, Rrezarta Alimi, me nga 6.25 Blin Kuka e Sidorela Dodaj, ndërsa me 3.75 Laurina Gashi.
Karateja i ka pesë sportistë të kategorizuar, ndërsa në krye të listës është Herolind Nishevci me 40 pikë.
Bodibildingu ka plot nëntë sportistë të kategorizuar. Rilind Musa e Kushtrim Bajraktari janë vlerësuar me nga 35 pikë nga komisioni për kategorizim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me plot tetë sportistë përfaqësohet “muay-thai”, ndërsa më i ranguari është Lindon Demiri me 31.5.
Taekwondo i ka gjashtë përfaqësues në listën e sportistëve të kategorizuar, kurse i pari është Bleron Ademi me 25 pikë.
Donjeta Sadiku, Shpëtim Bajoku e Bashkim Bajoku janë të kategorizuar nga boksi. Donjeta i ka 60 pikë, Shpëtimi 20 e Bashkimi pesë. Kikboksi prezantohet me gjashtë sportistë, me Artor Mehmetin në krye të listës me 17.5.
Migjen Shala me 28 pikë është në krye të listës prej tre sportistëve nga aeronautika. Me nga dy sportistë në listë përfaqësohen mundja, atletika, basketbolli, badmintoni, boulingu, çiklizmi, hendbolli, noti, pingpongu, skijimi, biliardoja, tenisi, kajakimi, futbolli. Tre i kanë autosportet, ndërsa nga një gjimnastika, triatloni, motoçiklizmi.
Xhudoja i ka edhe katër trajnerë të kategorizuar, ndërsa i pakonkurrencë, me plot 265 pikë, i pari në listë është Driton Kuka. Karateja i ka pesë trajnerë të kategorizuar, bodibildingu katër, “muay-thai” dy, kikboksi tre, taekwondo katër. Sportet e tjera i kanë nga dy apo një trajner të kategorizuar.
Kriter për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve janë medaljet në gara, duke nisur nga Lojërat Olimpike, Botërorët, Evropianët, Lojërat e Kampionatet Mesdhetare, Kampionatet Ballkanike dhe Kampionatet e Kosovës.
Në nivel shtetëror, kriter për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve është shpallja e tyre më të mirët e vitit te seniorët.
Kategorizimi përcakton përkrahjen e shtetit ndaj sportistëve. Sa më shumë pikë, përkrahja është më e madhe.