Futbollisti i Barcelonës, Lamine Yamal, ka shprehur admirimin për Neymarin. Ylli i ri i Barcelonës ka vlerësuar brazilianin, duke theksuar se lojtari i Al-Hilalit është idhulli i tij në futboll.
Edhe pse Yamal krahasohet me Messin, Neymar është më i veçantë për të.
“Isha pesë vjeç kur e pashë për herë të parë në Santos dhe shtatë vjeç kur e takova personalisht në Camp Nou”, kujton Lamine Yamal në një intervistë për CNN.
“Ishte e pabesueshme ta shihja atë duke luajtur. Po, është e vërtetë që Messi ishte atje dhe ishte i jashtëzakonshëm, por Neymari është diçka krejtësisht ndryshe. Neymar ka qenë gjithmonë idhulli im. Ai është yll, legjendë e futbollit”, ka thënë spanjolli.
17-vjeçari Yamal është nën kontratë me Barçën deri në mesin e vitit 2026 dhe në intervistë foli edhe për rinovimin.
“Nuk e di se kur do të nënshkruhet kontrata, por mendoj se do të jetë së shpejti. Në fund të fundit, Barcelona është klubi i jetës sime. Shpresoj të rinovoj kontratën dhe të qëndroj sa më gjatë”, ka thënë ai.
Yamali luajti 22 ndeshje këtë sezon me fanellën e Barcelonës, ku shënoi shtatë gola me 12 asistime.