Florentino Perez mund të shpallet sërish president më 19 janar nëse asnjë kandidat tjetër nuk paraqet kandidaturën e tij.
Real Madridi të martën ka shpallur zgjedhjet për president, ka njoftuar klubi mbretëror.
“Presidenti, pasi dëgjoi Bordin e Drejtorëve në mbledhjen e mbajtur sot, dhe në përputhje me Statutin e Real Madridit, i ka kërkuar Bordit Zgjedhor ta fillojë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve për president dhe Bord të drejtorëve”, thuhet në komunikatën e Real Madridit.
Bordi Zgjedhor, siç shkruan “AS”, të mërkurën do të shpallë zyrtarisht zgjedhjet, ndërsa afati i fundit për paraqitjen e kandidatëve do të jetë nga 9 deri më 18 janar. Nëse nuk ka kandidat tjetër, Florentino Perez mund të shpallet sërish president të dileën e 19 janarit, ditën e ndeshjes kundër Las Palmasit.