Ballkani e ka fituar në tavolinë ndeshjen ndaj Feronikelit 74, që në fushën e blertë përfundoi 1:1.

Vendimin e mori vetëm të premten Komisioni i Garave të Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja i takoi xhiros së 21-të, ndërsa ishte zhvilluar një javë më parë. Por nuk ishte regjistruar deri të premten, pasi kampioni në fuqi ishte ankuar lidhur me paraqitjen e lojtarit të Feronikelit 74, Lavdim Zumberi.

Ankesa e Ballkanit është miratuar të premten nga Komisioni i Garave.

“Lavdim Zumberi është aktivizuar pa të drejt loje, sipas të dhënave të siguruara nga sistemi ‘FIFA Transfer Matching System’ (TMS). Lojtari Lavdim Zumberi figuron me status aktiv për klubin e futbollit Baden në Zvicër. Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit 74 regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Ballkanit”, shkruan në vendim.

Komisioni i Garave ka njoftuar se ka konsultuar edhe federatën zvicerane. Zumberi është pjesë e Feronikelit 74 që nga vjeshta, por vetëm tani është kuptuar që në sistemin TMS ende është pjesë e klubit zviceran. Dhe Komisioni vlerësoi se kështu Feronikeli 74 ka bërë shkelje.

“Pas administrimit të të gjitha shkresave në procedurë dhe bazuar në provat dhe të dhënat e siguruara nga sistemi TMS dhe sipas emailit të 26 shkurtit të dërguar në komision nga Federata e Futbollit e Zvicrës, lojtari Lavdim Zumberi figuron me status aktiv në klubin Baden. Komisioni ka konstatuar se lojtari Zumberi është aktivizuar nga Feronikeli 74 në mënyrë të parregullt dhe pa të drejtë loje”, shkruan në arsyetim të vendimit. 

Komisioni i Garave ka shkruar se vendimi u mor në bazë të rregulloreve të FFK-së dhe të FIFA-s.
Ballkani tani i ka 39 pikë në vendin e dytë në Superligë. Drita e Gjilanit udhëheq me 47 pikë. Ndërkohë Feronikeli 74 mbetet i fundit me 10 pikë, e jo 11 sa i kishte në fundjavën e kaluar.

Te Feronikeli 74 kishin pranuar se mesfushori Zumberi figuron në TMS si lojtar i Badenit, por kanë thënë se kjo është përgjegjësi e federatës e jo e klubit. 

Zumberi i ka dhjetë ndeshje në Superligën e Kosovës. 25-vjeçari është rritur në futbollin zviceran, ndërsa ishte te skuadra si Zurichu e Wili. Badeni ishte klubi i tij i fundit para transferimit te Feronikeli ’74, transferim që sipas FFK-së nuk është kompletuar.