Në moshën vetëm 16-vjeçare, Lirjon Abdullahu ka arritur një moment historik në karrierën e tij. Për herë të parë, lojtari i talentuar i Stuttgarter Kickers ka qenë i grumbulluar me Kosovën për ekipin senior.

Ai ishte pjesë e “Dardanëve” në ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Islandës. Kosova përfundoi me sukses plejofin duke siguruar kalimin në Ligë.
Për lojtarin e ri ambicioz ishte një përvojë e paharrueshme.

“Nuk mund të besoja që mora ftesën. U befasova dhe njëkohësisht u ndjeva krenar kur lexova ftesën”, ka thënë Abdullahu në intervistën dhënë për faqen e klubit gjerman.

Abdullahu ishte ftuar për dy ndeshjet ndaj Islandës. Por vetëm në ndeshjen e dytë në Murcia të Spanjës, Abdullahu u përfshi në listën zyrtare të lojtarëve për lojë. Kosova e fitoi 3:1 ndeshjen e dytë.

“Kemi qëndruar nëntë ditë së bashku. Ishte thjesht e pabesueshme që isha pjesë e tavolinës së ushqimit me lojtarët e Kosovës. Edhe stërvitja im e parë ishte shumë e mirë. Sigurisht, vërehej niveli shumë i lartë. Por unë dhashë gjithçka dhe arrita të tërhiqja vëmendjen”, është shprehur Abdullahu.

Ai ftohet rregullisht te Kosova U17. Për këtë grupmoshë ka shënuar katër gola në tri ndeshje. Ai ka shtuar se është pritur mirë nga lojtarët e tjerë të Kosovës.

“I gjithë ekipi më priti shumë ngrohtë. Të gjithë më pranuan menjëherë dhe më mbështetnin sa herë që kisha ndonjë pyetje apo ndihmë”, ka thënë ai.

Në edicionin aktual, sulmuesi i talentuar me fanellën e Stuttgarter Kicker ka shënuar 11 gola në 16 ndeshje në Ligën e të rinjve U19 dhe U17.

Por ftesa e Kosovës thotë se e ka nxitur të rrisë edhe më shumë ambiciet.

“Kjo ftesë më ka nxitur edhe më tej ambicien time. Kërkesat në këtë mjedis janë shumë të larta dhe e kupton se ku duhet të përmirësohesh më shumë. Për shembull, duhet të jesh shumë i etur për të vrapuar dhe për të vazhduar para. Por gjithashtu kam kuptuar se stërvitja ia vlen”, ka thënë Abdullahu.

Abdullahu nuk luajti asnjë minutë ndaj Islandës. Por ai në një nga ndeshjet e ardhshme mund të bëhet lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë për ekipin A të Kosovës.