Garueset në atletikë do t’i nënshtrohen një testimi për të konfirmuar gjininë e tyre para se të mund të garojnë në nivel ndërkombëtar.

“World Athletics”, organi drejtues botëror i atletikës, ka aprovuar të martën përfshirjen e metodës joinvazive për të përcaktuar nëse një atlete ka të drejtë të marrë pjesë në garat e grave dhe vajzave.

Sebastian Coe, president i “World Athletics” ka thënë se vendimi për verifikim u mor për të mbrojtur me vendosmëri kategorinë e femrave. Vendimi u mor pas një procesi të gjatë konsultimit që përfshiu 70 grupe.

Vendimi vjen pas polemikave që u krijuan në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” për medaljet e fituara nga boksierja algjeriane Imane Khelif dhe Lin Yu-ting e Tajvanit. Ka pasur debat të gjerë nëse ato kanë pasur të drejtë të garojnë me boksieret e tjera.

Në atletikë do të kërkohet vetëm një test i detyrueshëm, që do të vlejë për gjithë karrierën.

Testimi mund të jetë gati për Kampionatin Botëror të atletikës që mbahet në Tokio prej 13 deri më 21 shtator.

“Në mbledhjen e Këshillit të ‘World Athletics’ morëm vendime të rëndësishme në lidhje me integritetin e kategorisë së femrave në gara. Janë aprovuar rekomandimet e grupit punues për sportistët me gjini të ndryshme. Gjatë javëve të ardhshme rekomandimet e reja do të hartohen dhe do të ketë pajtueshmëri për ofruesin e testit paraprak, procesin dhe afatin kohor. Testimi paraprak do të bëhet që atletet të garojnë në konkurrencë të femrave”, ka thënë Coe.

“Procesi është shumë i drejtpërdrejtë, shumë i qartë dhe i rëndësishëm. Testi duhet të bëhet vetëm një herë gjatë karrierës së sportistes. Tani mbetet që të gjejmë ofruesin e duhur, pasi ne jemi sport global. Duhet të gjejmë dikë që ka kapacitin e nevojshëm. Është një tampon në faqe apo një test gjaku i thatë dhe do të bëhet një herë në karrierë. Është e rëndësishme të bëjmë këtë sepse ruan gjithçka për të cilën kemi folur. Ka të bëj me garantimin e integritetit të sportit të femrave. Është e rëndësishme për të ofruar besimin dhe për të ruajtur integritetin e sportit tonë”, ka shtuar udhëheqësi i atletikës botërore.

Në muajin shkurt, një grup punues i “World Athletics” tha se testi i kërkuar do të jetë për gjenin SRY dhe nëse kërkohet edhe për nivelin e testosteronit.

“Testet janë të nevojshme dhe do të bëhen sipas standardeve mjekësore ndërkombëtare. Ne do të mbrojmë me vendosmëri kategorinë e femrave dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për këtë”, ka shtuar Sebastian Coe.