Mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, tha se ishte me rëndësi të fitohej ndeshja kundër Andorrës. Shqipëria triumfoi 3:0 në “Air Albania” të hënën mbrëma.
“Përgjigja jo vetëm për tifozët por edhe për ne. Ishte e rëndësishme të rikuperohemi sa më shpejt nga ndeshja me Anglinë. E rëndësishme që shënuam herët me Manajn dhe kjo ishte vendimtare për ta fituar këtë ndeshje. Nuk kishim shumë kohë për të analizuar kundërshtarin, ishim të lodhur nga ndeshja me Anglinë dhe udhëtimi. Ka gjëra që mund t’i bëjmë më mirë, por jemi të lumtur që kemi fituar tri pikët. Kam një problem prej shumë kohës në kavilje, por shpresoj se do të përmirësohet gjendja. Sonte nuk kemi dashur të rrezikonim dhe për këtë arsye u largova më herët. Do të përmirësohemi me kalimin e kohës dhe do të luajmë edhe më bukur. Gjëja më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen”.