Fitorja 5:4 e Gjermanisë pas dy ndeshjeve ndaj Italisë ia siguroi gjermanëve vendin në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve dhe ofroi një hero të papritur – djaloshin që për herë të parë ishte i angazhuar për kthimin e topit në fushë.
15-vjeçari Noel Urbaniack ishte në fokus pas ndeshjes së luajtur të dielën mbrëma në Dortmund. Ai ka dhënë intervista, ndërsa mori një top me nënshkrimet e lojtarëve. E gjithë kjo u bë e mundur pasi reagoi shpejtë dhe ia ktheu topin Joshua Kimmichut që krosoi po ashtu shpejtë për golin e dytë të Gjermanisë ndaj Italisë.
Derisa lojtarët e Italisë ishin ende duke diskutuar dhe portieri Gianluigi Donnarumma ishte disa metra larg portës, Kimmich krosoi nga këndi dhe Jamal Musiala realizoi për 2:0.
“Është e pabesueshme, asnjëherë më parë nuk isha i përfshirë në diçka të tillë”, ka thënë Urbaniack, derisa mbante topin e nënshkruar nga lojtarët gjermanë.
“Kemi pasur një kontakt me sy. E kam kuptuar që e dëshiron topin sa më shpejt të jetë e mundur dhe e kam hedhur tek ai. Ishte hera e parë për mua si djalosh i topave”.
Gjermania barazoi 3:3 me Italinë në ndeshjen e kthimit, ndërsa u kualifikua pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë.
Tani do të përballet me Portugalinë në gjysmëfinale, në qershor.
Pas krosimit nga këndi, Musiala ishte plotësisht i papenguar dhe vetëm shtyu topin në rrjetë. Ai gol ishte vendimtar, thotë selektori i Italisë, Luciano Spalleti.
“Ajo që na mbyti ishte goli i dytë”, ka thënë Spalletti.
Selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka lavdëruar djaloshin e topit, por më shumë Kimmichun e Musialan.
“Djaloshi i topit bëri mirë. Por lojtari kryesor është Josh, që e kërkoi topin shpejtë. Po ashtu edhe Jamali që ishte i vëmendshëm”, ka thënë selektori gjerman.
Ai ka thënë se situata nuk ishte e planifikuar. Ka theksuar se ishte lëvizje intelegjente e dy lojtarëve.
“Absolutisht ishte klas botëror nga të tre”, ka vazhduar Nagelsmann. E kishte fjalën për Kimmichun, Musialan dhe natyrisht Noel Urbaniackun.
Pas fundit të ndeshjes djaloshi i topit dhe Kimmich u takuan për një fotografi të përbashkët.
“Jo e firmosi topin dhe më falënderoj”, ka thënë Urbaniack.
Drejtori sportiv i federatës gjermane, Rudi Voller i ka premtuar biletë falas për ndeshjen e ardhshme të Gjermanisë.