Goli i sulmuesit Hekuran Berisha në minutën e dytë të kohës shtesë ka bërë që Dukagjini ta shmang disfatën nga Drita, që është lidere e elitës së futbollit kosovar.

Drita që sigurt po shkon drejt një tjetër titulli në elitë, ishte afër që të merrte pikët e plota nga stadiumi “18 Qershori” në Klinë të shtunën.

Por ndeshja e xhiros së 25-të e elitës së futbollit kosovar, u mbyll baras, 1:1.

Drita ishte në epërsi prej minutës së 39-të.

Ukrainasi Denys Kostyshyn që u zyrtarizua si futbollist i Dritës në mesin e muajit shkurt, shënoi për 1:0 në të mirë të Dritës, me asistim të Iljasa Zulfiut.

Menjëherë pas golit të shënuar nga Drita, trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, u përjashtua nga loja me të kuq nga gjyqtari Visar Kastrati.

Raste për shënim pati nga të dyja skuadrat edhe në pjesën e dytë, por barazimi erdhi pak para se të mbyllej e tërë ndeshja.

Berisha shënoi nga afërsia dhe ia siguroi një pikë të madhe Dukagjinit që po lufton për mbetje në elitë.

Dukagjini është pa humbje në tri ndeshjet e fundit në Superligë, pas fitoreve ndaj Malishevës e Prishtinës.

Drita pavarësisht barazimit, vazhdon të jetë lidere e me diferencë të madhe të pikëve nga vendi i dytë.

Drita ka 54 pikë në vendin e parë, ndërsa Ballkani në vendin e dytë ka 43 pikë.

Dukagjini në vendin e shtatë mbetet me 31 pikë në 25 ndeshje, dy më shumë se Suhareka që është në vendin e tetë, përkatësisht atë të barazhit.

Suhareka e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Dramë në fundin e ndeshjes në Klinë

Hekuran Berisha ka shënuar gol nga afërsia dhe e ka barazuar rezultatin për Dukagjinin ndaj Dritës.

Ndeshja u mbyll me rezultat 1:1. Ai realizoi në minutën e 92-të.