Bayern Muncheni do të jetë pa Alphonso Daviesin në fazën finale të edicionit, por edhe në periudhë shumë më gjatë. Mbrojtësi i majtë pësoi këputje të ligamentit kryqëzor, derisa po luante për Kanadanë. Kjo do të thotë se lojtari i rëndësishëm i Bayernit do të jetë jashtë fushës për të paktën gjashtë muaj. Bayerni ka njoftuar se bëhet fjalë për lëndim të gjurit të djathtë, ndërsa ka njoftuar se operimi është bërë menjëherë të mërkurën.
Një tjetër lojtar i rëndësishëm i Bayernit, mbrojtësi i qendrës Dayot Upamecano, po ashtu ka pësuar lëndim serioz. Sipas Bayernit, Upamecano ka lëndim të gjurit dhe nuk do të jetë i gatshëm për lojë për disa javë.
Alphonso Davies u lëndua tri ditë më parë në fitoren 2:1 të Kanadasë ndaj SHBA-së. Ai është prej lojtarëve kryesorë të gjigantit bavarez.
Ndërkohë Upamecano luajti 120 minuta në fitoren e Francës ndaj Kroacisë në penallti në çerekfinale të Ligës së Kombeve. Madje realizoi penalltinë vendimtare. Në ndeshjen e parë ndaj Kroacisë, 26-vjeçari luajti vetëm një pjesë.
“Për fat të keq, ka gjithnjë rrezik që lojtarët të kthehen nga pushimi ndërkombëtar me lëndime. Këtë herë jemi goditur fuqishëm. Mungesa e Alphonso Davies dhe Dayot Upamecano peshon rëndë për Bayernin. Davies do të ketë përkrahjen e duhur në rrugën drejt rikuperimit. Do të përcjellim nga afër edhe Upamecanon në javët e ardhshme dhe presim që të jetë në dispozicion së shpejti. Kemi skuadër të fortë dhe do të kompenzojmë këto mungesa. Do të rritemi edhe më shumë së bashku. Kualiteti ekziston për të vazhduar me synime të mëdha”, ka thënë Max Eberl, drejtor sportiv i Bayernit.
Bayerni është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ndeshjen e parë e ka më 8 prill ndaj Interit në “Allianz Arena”. Ndeshja e kthimit është më 16 prill në Milano.
Në Bundesligë, Bayerni është lider me 62 pikë, gjashtë më shumë se Bayer Leverkuseni. Janë zhvilluar 26 xhiro, ndërsa kanë mbetur edhe tetë. Bayerni të shtunën e pret St. Paulin.