Estonia e ka fituar ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës që vitin tjetër mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Estonia fitoi në udhëtim ndaj Moldavisë me rezultat 3:2. Ndeshja Moldavi – Estoni i takon grupit I kualifikues për Botëror. Moldavia mbetet pa fitore nga dy ndeshje.
Golin e parë Estonia e shënoi në minutën e 19-të, 14 minuta pasi Moldavia mbeti me një lojtarë më pak në fushë. Golin për 1:0 e shënoi Rasmus Peetson. Estonia shfrytëzoi epërsinë e një lojtari më shumë në fushë gjatë pjesës së parë duke shënuar edhe golin e dytë. Në minutën e 30-të golin për 2:0 e shënoi Rauno Sappinen. Edhe estonezët nga minuta e 48-të mbetën me një lojtarë më pak në fushë.
Në minutën e 67-të Ion Nicolaescu shënoi për 2:1. Por tre minuta më vonë, Estonia shënoi edhe golin e tretë. Mattias Kait shënoi golin për 3:1, kurse Mihail Caimacov shënoi golin për rezultatin përfundimtar, 3:2.