Statistikat që aktualisht i ka Benjamin Kololli te skuadra e Sionit, e bëjnë atë futbollist interesant edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan gazeta zvicerane “Blick” të premten.

Por, selektori Franco Foda deri tani e ka injoruar.

“Nuk jam dëgjuar kurrë me të. Kështu që gjithë çfarë unë duhet të bëj te Sioni është ta jap më të mirën dhe automatikisht të bëhem qendër e vëmendjes”, ka thënë Kololli.

Kololli me Kosovën i ka 24 paraqitje dhe katër gola të shënuar.

Por, nuk është ftuar nga Kosova prej vitit 2022. Futbollisti i krahut pret që me paraqitje të mira ta fitojë vendin për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Kjo do të ishte e jashtëzakonshme për Kolollin dhe Kosovën, që në ndeshjen e parë kualifikuese luan ndaj Zvicrës, më 5 shtator.

Kololli më 16 mars e mbylli njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme me Sionin. Barazoi 1:1 në Letzigrund me Grasshopperin.

Të paktën në fazën ofensive, 32-vjeçari Kololli është praktikisht i vetmi lojtar i vlefshëm i ekipit. Shtatë gjuajtje në pjesën e parë është rekord. Ai e shtoi edhe një tjetër pas pushimit. Këtu përfshihet edhe gjuajtja magjike nga goditja e dënimit që u dha vizitorëve epërsinë 1:0 në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.

“Për fat të keq askush më nuk është si Juninho”

Për të pasur sukses në shënimin e golave të tillë, me gjuajtje unike që bën që topi të bie si plumb pak para se të përfundojë në portë, duhet të stërvitesh në maksimum. Portierët nuk duken mirë edhe pse gjërat janë të paparashikueshme në ato momente. Por mund ta provoni të qëndroni vetë në portë. Më pas do ta shihni se për çfarë goditje bëhet fjalë.

Ajo gjuajtjeje ekzekutohej thuajse në mënyrë të përkryer nga braziliani Juninho, që u bë legjendë te Lyoni dhe i fitoi shtatë tituj. Te Brazili, përfaqësuese për të cilën luajti 40 herë, Juninho ishte i pari që merrte përsipër goditjet e dënimit, pavarësisht se në skuadër ishin Ronaldinho, Kaka e Roberto Carlos.

Në total ka shënuar 77 gola nga gjuajtja e lirë. 44 golat e tij nga 100 sa i kishte gjithsej te Lyoni ishin nga goditja e dënimit.

“Për fat të keq askush më nuk është si Juninho”, thotë Kololli. Por, ai është duke punuar për t’i përcjellë hapat e tij.

Autogoli i harruar

Nuk janë vetëm gjuajtjet e lira që e bëjnë Kolollin të lulëzojë. Ai me paraqitjet e mira ka bërë që të harrohet edhe autogoli ndaj Baselit. Kundër Servettes, për shembull, në ndeshjen e tretë për Sionin, ai shkëlqeu, konvertoi në gol dy penallti. Nuk kishte shumë kohë prejse ishte inkuadruar në fushë. Ishte zëvendësues, njësoj si në dy ndeshjet e para dhe hyri në lojë në minutën e 81-të. I shënoi penalltitë në minutën e 85-të dhe të 89-të. Penalltia e dytë ishte “Panenka” e përkryer.

“Do t’ia hiqja kokën nëse nuk do të shënonte”, thotë trajneri Didier Tholot.

Kololli nuk duhej ta ekzekutonte atë penallti. Por ai thjeshtë e kapi topin. Të marrësh kaq shumë përgjegjësi dy herë si zëvendësues. Arrogancë – apo thjeshtë karakter?

Nëse e sheh Kolollin aktual, ai kontribuon në ndeshje. Mënyra se si ai punon fort, si e drejton ekipin. Ai është bërë lider në ekipin që e humbi liderin e mëparshëm, Joel Schmied, që u transferua te Kolni.

“Ndoshta”, thotë Kololli për gazetën lokale “Nouvelliste”. “Por kjo nuk është e rëndësishme. Ajo që llogaritet është suksesi kolektiv”.

Dy vjetët e parë të Kolollit te Sioni ishin të dështuar

Si ekip, je i mirë vetëm nëse i kombinon paraqitjet e mira individuale të secilit lojtar. Dhe Kololli për momentin është i jashtëzakonshëm. Por rrugëtimi te Sioni jo gjithmonë ka qenë i lehtë. Për Kolollin është hera e dytë që luan te ky klub. Nga FC Monthey ishte transferuar te Sioni U21 e më pas tek ekipi i parë. Për dy vjet Kololli i shënoi vetëm dy gola. I mërzitur, ai u transferua te Le Monti, më pas në Biel ku e ngjalli karrierën, për të vazhduar më pas te Lausanne dhe Zurichu. Ai karrierë ka bërë edhe te Shimizu S-Pulse në Japoni dhe Baseli.

Tani si 32-vjeçar, ai po kalon formë të mirë dhe e ka bindur edhe trajnerin Didier Tholot. Ai e sheh atë si mbrojtës të krahut të djathtë, por “Benji” nuk pajtohet.

“Unë i sjellë më shumë ekipit në fazën sulmuese”, thotë Kololli i cili tregon se bisedojnë vazhdimisht me trajnerin.

Kololli në dhjetë paraqitje për Sionin në Superligën e Zvicrës ka shënuar pesë gola dhe ka dy asistime. Një tjetër gol e ka realizuar për Baselin. Për Baselin realizoi edhe për Kupë të Zvicrës.

Kolollit i duhen 126 minuta për të shënuar të paktën një gol. Kjo e bën atë futbollistin e dytë më të efektshëm (me të paktën pesë paraqitje) pas Chris Bedias të Young Boysit. Atij i duhen mesatarisht 100 minuta lojë për të shënuar gol.