Portieri Arijanet Muriq do të jetë prej mungesave më të rëndësishme te Kosova për ndeshjen kthyese ndaj Islandës në Spanjë. Muriq, që ishte prej më të mirëve në fitoren e arritur në Prishtinë të enjten 2:1, do të mungojë shkaku lëndimit. Por portieri i parë i Kosovës, nuk do të jetë mungesa e vetme e “Dardanëve”. Për shkak të lëndimit nuk do të jetë as Donat Rudhani. Valon Berisha është i suspenduar. Të tre ishin titullarë në ndeshjen e parë të plejofit për Ligën e Kombeve. Me gjithë mungesat e rëndësishme, te Kosova synojnë tjetër fitore dhe kalim në Ligën B të Ligës së Kombeve për edicionin e ardhshëm. Por për të dalë fitimtar nga fusha e stadiumit “Enrique Roca de Murcia” në Murcia të Spanjës, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda kërkon angazhim dhe përqendrim maksimal gjatë gjithë ndeshjes ndaj islandezëve. Ndeshja Islandë – Kosovë luhet të dielën nga ora 18:00.

“Islanda është skuadër që ka futbollistë të mirë sidomos në aspektin ofensiv. Do të jetë shumë e rëndësishme për ne se si do të luajmë kur Islanda e ka posedimin e topit. Mënyra se si do të reagojmë dhe energjia që do të kemi për të luftuar për ta rifituar topin, mund të jetë vendimtare për epilogun e ndeshjes. Dhe ndonëse po e zhvillojmë ndeshjen si mysafir, ne prapë do të mundohemi ta luajmë lojën tonë, të kemi raste dhe të provojmë të shënojmë gola”, ka deklaruar përzgjedhësi Franco Foda në konferencën për shtyp të shtunën.

Ai ka folur edhe për mungesat që Kosova do t’i ketë të dielën në mbrëmje.

“E kemi edhe një stërvitje dhe do të flasë me portierët që kam në dispozicion dhe do të marrë vendimin se cili prej tyre do të jetë në ndeshjen kundër Islandës. Gjasat në këtë ndeshje janë 50 me 50. Kjo u dëshmua në ndeshjen e parë, e cila ishte goxha e përafërt”, është shprehur Foda.

Përkrah përzgjedhësit gjerman në konferencën për shtyp ishte sulmuesi Vedat Muriqi. Muriqi theksoi se Kosova duhet të luajë një tjetër ndeshje me shpirt luftarak.

“Në shumë ndeshje tjera kemi luajtur me mungesa, si pa Amirin, pa Milotin, apo pa mua. Por, ekipi ka treguar lojëra të mira. Besoj se edhe kësaj radhe pavarësisht mungesës së Aros, Donatit dhe Valonit, ata që do të luajnë do ta japin maksimumin”, deklaroi Muriqi.

Muriqi pret lojë të vështirë ndaj islandezëve, por thotë se ai dhe bashkëlojtarët janë gati për një tjetër sfidë të madhe.

“Jemi të gatshëm për nesër. Analizat do t’i bëjmë në ditën e ndeshjes. Sidoqoftë, mund të them se Kosova është e gatshme për t’u kualifikuar në Ligën B”, ka thënë Muriqi.

Pas ndeshjes me Islandën, Kosova do ta ketë miqësoren me Armeninë më 6 qershor. Më pas e presin ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026.

Kosova në Grupin B kualifikues është me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë.

Kampanjën kualifikuese e nis ndaj Zvicrës në udhëtim më 5 shtator, dhe i mbyll kualifikimet e Botërorit 2026 në shtëpi, më 18 nëntor.