Në Murcia të Spanjës, përfaqësuesja e Kosovës në futboll e kërkon promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Liga B është niveli i dytë i Ligës së Kombeve, në të cilën Kosova nuk është paraqitur asnjëherë.
Ndeshja e kthimit e plejofit për Ligën B mes Islandës e Kosovës zhvillohet sonte nga ora 18:00.
Ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri”, të përzgjedhurit e Franco Fodas e fituan 2:1.
Në kampin “dardan” janë shprehur optimistë dhe të gatshëm për ndeshjen. Te Kosova ka mungesa të rëndësishme, por lojtarët që e fitojnë rastin pritet të ofrojnë më të mirën.
Edon Zhegrova, Aro Muriq e Donat Rrudhani mungojnë për shkak të lëndimeve, ndërsa Valon Berisha është i suspenduar.
Në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, Kosova garoi në Ligën C dhe mbeti e dyta në grup. Islanda ishte e treta në grup në Ligën B.
Ndeshja zhvillohet në Spanjë, pasi stadiumi ku Islanda i luan ndeshjet në shtëpi nuk është gati për lojë.