Futbollistet e Kosovës U17 kanë pësuar humbje të thellë në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2025.
Kosova garoi në Ligën A të raundit të dytë kualifikues, që doli të jetë nivel i papërballueshëm.
Të dielën në Kelsterbach të Gjermanisë, futbollistet e reja të Kosovës humbën 7:0 nga Danimarka.
Danezet e shënuan golin e parë në minutën e tetë e të fundit në minutën e 93-të. Sipas të dhënave zyrtare të UEFA-s, Danimarka i kishte plot 26 raste për gol e Kosova asnjë.
Danimarka po ashtu i kishte 11 goditje nga këndi e Kosova asnjë.
Kosova U17 përfundoi e fundit në grupin A7 dhe kthehet në ligën B për kualifikimet e ardhshme.
Në ndeshjen e parë futbollistet kosovare pësuan 10:0 nga Gjermania. Më pas humbën 3:0 nga Austria. Grupin e fitoi Austria me 7 pikë, që kualifikohet në Evropian.
Në raundin e parë të kualifikimeve, Kosova U17 fitoi grupin në Ligën B dhe kështu avancoi në Ligën A për raundin e dytë. Në Elbasan në fund të tetorit e fillim të nëntorit, Kosova kishte fituar 3:1 ndaj Shqipërisë dhe kishte barazuar 1:1 me Izraelin.