I dënuar me nëntë vjet burg për përdhunimin e një gruaje shqiptare në një klub nate të Milanos në vitin 2013, së bashku me pesë burra të tjerë, Robinho ka vuajtur tashmë vitin e parë të dënimit dhe shtypi brazilian tani po zbulon detaje nga përditshmëria e ish-reprezentuesit brazilian në burgun Tremembe.
Duke vuajtur dënimin në atë që njihet si burgu i famshëm, për strehimin e kriminelëve të rrezikshëm dhe figurave publike, qelia e ish-lojtarit të Real Madrid, Man City dhe Milan është tetë metra katrorë dhe ndahet me një të burgosur 22-vjeçar, i dënuar për nxitje të një personi për të kryer vetëvrasje.
Sipas shtypit brazilian, Robinho ka sjellje shembullore, mban marrëdhënie të mira me të gjithë dhe është i fokusuar në uljen e dënimit dhe marrjen e një regjimi gjysmë të hapur, madje ka përfunduar një program edukimi qytetar dhe profesional.
“Në një mjedis ku mbizotëron rregulli, ne meshkujt duhet të jemi në vijën e parë për të luftuar jo vetëm dhunën seksuale, por të gjitha llojet e dhunës”, shkruan ai.
Në përditshmërinë e tij ai luan futboll, i përkushtohet riparimit të televizorëve dhe radiove, pasi ka kryer një kurs në burg, si dhe i përkushtohet kopshtarisë. Sipas informacioneve të dhëna, objektivi është ulje e dënimit me një ditë për çdo 12 orë punë.
Në këtë kohë, ai mund të marrë vetëm vizita nga anëtarët e tij më të afërt të familjes – gruaja, fëmijët dhe prindërit – dhe mund të marrë ushqim, pije, veshje, lojëra, materiale shkrimi dhe revista të përshtatshme prej tyre.
Kujtojmë se Robinho iu shmang arrestimit për një kohë të gjatë dhe Italia kërkoi madje ekstradimin e tij, por kjo nuk u bë e mundur nga ligji brazilian. Në mars të vitit të kaluar, ai u urdhërua të vuante dënimin në São Paulo.