Prishtinës nuk i ka mjaftuar ndaj Gjilanit autogoli i Senad Jaroviqit për t’i fituar pikët e plota të shtunën, në ndeshjen e xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Prishtina ishte afër që ta fitonte trepikëshin e parë pas ecurisë negative prej nëntë ndeshjeve rresht pa fitore në elitë ku kishte tri humbje e gjashtë barazime.
Por ishte goli i Marko Roganoviqit në minutat shtesë që ia siguroi një pikë Gjilanit, ndërsa Prishtina tani ka dhjetë ndeshje rresht në Superligë pa fitore.
Ndeshja e zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Gjilan u mbyll baras, 1:1.
Gjilani mbetet në pozitën e katërt me 35 pikë pas këtij barazimi, dhe i është afruar shumë zonës që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Prishtina, Ferizaj dhe Dukagjini mbesin me nga 32 pikë. Në vendin e barazhit, përkatësisht të tetin, është Suhareka me 29 pikë. Llapi është i parafundit me 26, ndërsa në vendin e fundit është Feronikeli 74, me 13 pikë.
Sulmuesi shtatlartë i Gjilanit, Jaroviq, ishte pranë portës pas një goditjeje nga këndi dhe e devijoi topin në portën e vet, në minutën e 23-të.
Shifrat nuk ndryshuan deri në minutat shtesë, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga të dyja skuadrat.
Në minutën e dytë të kohës shtesë, mbrojtësi nga Mali i Zi, Marko Roganoviq, ishte në vendin dhe kohën e duhur për ta dërguar topin prapa shpinës së portierit Ardit Nika.
Prishtina mbetet pa fitore në Superligë prej 1 dhjetorit, kur në udhëtim kishte fituar ndaj Dukagjinit.
Prishtina është në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Më 9 dhe 23 prill do të ballafaqohet me Dritën.
Gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Kosovës është ajo mes Llapit dhe Drenicës.