Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ka shqyrtuar ankesën e Federatës së Futbollit të Kosovës kundër Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe UEFA-s.
Por vendimi për ankesën e federatës kosovare nuk është marrë ende.
FFK-ja i ishte drejtuar Gjykatës me seli në Llozanë të Zvicrës pas vendimit të UEFA-s për regjistrimin e ndeshjes me Rumaninë me rezultatin 3:0 në të mirë të rumunëve. Ndeshja ishte zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë më 15 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa i takonte edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Në minutat shtesë erdhi te një kacafytje e lojtarëve në fushë, ndërsa në tribuna u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia”. Lojtarët e Kosovës vendosën ta braktistin fushën dhe refuzuan të kthehen edhe kur këtë ua kërkoi arbitri. Arbitri ndërkohë doli në fushë dhe dha shenjë për fundin e ndeshjes, pasi lojtarët e Kosovës refuzuan disa herë të paraqiten për pak minutat e mbetur. Kur u ndërpre ndeshja, rezultati ishte 0:0.
Por UEFA vlerësoi se ndeshja u braktis nga lojtarët e Kosovës dhe e regjistroi atë me rezultatin zyrtar, 3:0, në të mirë të Rumanisë. E gjobiti rëndë federatën rumune për shkeljet e bëra.
Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv iu drejtuan edhe federata rumune edhe ajo kosovare. Ankesa e rumunëve për gjobat dhe zhvillimin e një ndeshjeje pa shikues është refuzuar, ndërsa tani në radhë është ankesa e FFK-së.
“CAS konfirmon se sot është shqyrtuar rasti Federata e Futbollit e Kosovës kundër Federatës Rumune të Futbollit dhe UEFA-s. Pas seancës dëgjimore, Panelit mund t’i duhet pak kohë për të diskutuar para se të merret një vendim. Gjykata do të lëshojë një deklaratë për shtyp për këtë procedurë”, shkruan në një përgjigje me shkrim të CAS-it për KOHËN, të mërkurën.
Më 5 dhjetor, FFK-ja njoftoi se i është drejtuar CAS-it, por pa sqaruar asnjëherë se cilën pjesë të vendimit të UEFA-s ka atakuar. Në bazë të asaj që ka njoftuar vetë Gjykata, federata kosovare ka hapur rast edhe ndaj rumunëve, pos ndaj UEFA-s. Por FFK-ja nuk ka dhënë asnjëherë detaje për këtë.
Gjasat që vendimi i UEFA-s për regjistrim të ndeshjes me rezultat zyrtar thuajse nuk ekzistojnë. Kosova tashmë ka luajtur ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve, që e siguroi me pozitën e dytë në grup në edicionin e kaluar. E mposhti në dy ndeshje Islandën dhe kaloi në Ligën B për edicionin e ardhshëm. Ndërkohë Rumania ka nisur me ndeshje kualifikuese për Botërorin 2026.
Gjasat janë që Kosova e Rumania të përballen edhe në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Të dyja janë në Ligën B dhe nuk pritet të jenë në vazo të njëjtë. Në katër ndeshjet mes Kosovës dhe Rumanisë ka pasur telashe të mëdha dhe punë për komisionet e UEFA dhe tani edhe për CAS-in.