Sulmuesi i Panamasë, Cecilio Waterman, e ka festuar gjatë dhe në mënyrë të pazakontë golin e minutës së fundit të gjithë përballjes.
Waterman shënoi në minutën e 93-t për fitoren e Panamasë ndaj SHBA-së të enjten pas mesnate dhe festoi me legjendën e Arsenalit, Thierry Henry.
Henry ishte prapa portës ku u shënua goli në “SoFi Stadium” në Los Angeles.
Henry ishte në rolin e analistit për emisionin “CBS Sports”.
Waterman me golin e fitores e dërgoi Panamanë në finale të Ligës së Kombeve kundër Meksikës.
33-vjeçari vrapoi drejt Henryt, u ndal para tij dhe e përqafoi deri kur erdhën futbollistët e tjerë të skuadrës së tij.
“Më kanë pyetur se kush ka qenë heroi im dhe unë ju kam thënë se gjithmonë ka qenë Thierry Henry. Qëkur isha fëmijë gjithmonë kam thënë se ke qenë inspirim për mua. Kam shënuar gol dhe të pash ty. E dija se duhej të vija e të përshëndesja”, ka thënë Waterman pas ndeshjes kur u mor në pyetje nga golashënuesi më i mirë në histori të Arsenalit.
Henry i befasuar tha se do t’ia dërgonte një fanellë të Arsenalit, pasi Waterman ia dha atij atë të Panamasë.
“Shumë gjëra kanë ndodhur në karrierën time por kjo është e veçantë. Kjo është festa më e mirë që e kam parë ndonjëherë”, ka deklaruar 47-vjeçari Henry.
Meksika në gjysmëfinalen tjetër e eliminoi Kanadanë pas fitores 2:0.
Finalja luhet më 24 mars.