Emir Bajrami është kthyer te skuadra e Elfsborgut, dhe ish-lojtari i kësaj skuadre do të punojë si skaut i talenteve. 

Bajrami 37-vjeçar ka luajtur për Elfsborgun prej vitit 2006 deri në vitin 2010, ndërsa karrierë kishte bërë edhe te Malmo dhe Twente. 

Aktualisht tek Elfsborgu në Suedi luajnë vëllezërit Arbër dhe Besfort Zeneli. Arbëri është i lënduar për momentin, kurse Besforti ka pasur paraqitje të mira, ndërsa ish-futbollisti i Kosovës U21 ka debutuar edhe me ekipin senior të Suedisë në ndeshje miqësore. 

Pasi Bajrami u pensionua nga futbolli aktiv, ishte ndihmëstrajner tek Elfsborgu, për t’iu bashkuar Jimmy Thelinit tek Aberdeeni në Skoci. 

“Është mirë të kthehesh në shtëpi dhe jam i lumtur dhe mirënjohës për këtë mundësi. Kam pasur gjithmonë lidhje të ngushtë me Elfsborgun dhe gjithmonë është gjë e mirë të jesh pjesë e të ardhmes së klubit”, ka thënë Bajrami për faqen zyrtare të klubit suedez.