Ballkani ka shënuar fitore shumë të thellë ndaj Dukagjinit në Klinë.
Të premten në stadiumin “18 Qershori”, kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë fitoi me rezultatin 5:0.
Nga dy gola shënuan Sunday Adetunji dhe Bleart Tolaj, kurse Bernard Karrica e shtoi një tjetër.
Adetunji realizoi në minutën e katërt e të 32-të, ndërsa Tolaj në minutën e 49-të dhe të 64-t.
Në minutën e fundit të ndeshjes për 5:0 realizoi Karrica.
Ballkani me këtë fitore tani ka 50 pikë në vendin e dytë, dhjetë më pak se Drita lidere që e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Dukagjini që po lufton për mbetje në elitë, mbetet me 35 pikë pas 28 ndeshjeve. 35 pikë i ka edhe Prishtina me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit, Suhareka ka 32 pikë, ndërsa Llapi i nënti, i parafundit, ka 30 pikë.
Suhareka luan kundër Prishtinës të shtunën, ndërsa të dielën janë ndeshjet Malisheva – Drita dhe Gjilani – Llapi.
Edhe këto ballafaqime nisin në orën 15:00.