Pasi e siguruan finalen e Kupës së Mbretit, Barcelona e Real Madridi e vazhdojnë garën e fortë për titull kampioni në La Liga.
Barça në finale u kualifikua pasi e eliminoi skuadrën e Atletico Madridit.
Reali në gjysmëfinale e eliminoi Real Sociedadin. Finalja e Kupës së Mbretit luhet më 26 prill në “La Cartuja” të Sevillas.
Në fundjave luhet xhiroja e 30-të e elitës spanjolle.
Barcelona është lidere me 66 pikë. Tri pikë më pak i ka Reali në vendin e dytë.
Barça po kalon formë të mirë këtë edicion. Ka 21 ndeshje rresht pa humbje.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Hansi Flick të shtunën nga ora 21:00 e pret Real Betisin.
Betisi është në vendin e gjashtë me 47 pikë.
Të shtunën nga ora 16:15 luan Reali me Valencian.
Valencia ka 31 pikë në vendin e 15-të.
Barça dhe Reali janë në garë për ta fituar tripletën. Dy skuadrat janë në çerekfinale të Championsit.
Ndërkohë skuadra e Atletico Madridit ka dëshpëruar me rezultate në ndeshjet e fundit. Atletico ka katër humbje dhe dy barazime në gjashtë ndeshjet e fundit.
Atletico të dielën nga ora 16:15 luan me Sevillan në udhëtim.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Diego Simeone është në vendin e tretë me 57 pikë. Sevilla renditet në pozitën e 11-të me 36 pikë.