Albert Bunjaku dhe Anel Rashkaj kanë luajtur në faza të rëndësishme të ndërtimit të përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Dy ish-reprezentuesit tani kanë një mision tjetër me Kosovën – të udhëheqin përfaqësuesen U19 drejt kualifikimit në Evropian. Bunjaku është selektor i Kosovës U19 e Rashkaj ndihmës i tij.
Puna e Bunjakut dhe Rashkajt me grupmoshën U19 ka nisur të martën. Ish-sulmuesi Bunjaku ka treguar planin që ka me lojtarët e klubeve të vendit gjatë kampit treditor.
Në ditën e parë të kampit ai ka parë entuziazëm të madh te lojtarët potencialë për t’u përfshirë në ekipin U19 të Kosovës për ndeshje kualifikuese.
“Stërvitja e parë ka qenë shumë e mirë. Më ka pëlqyer intensiteti maksimal. Ka lojtarë cilësorë. Gjatë mbledhjes që patëm me lojtarët, u thash që kam mundur të bëj kamp me lojtarët jashtë Kosovës, por ka qenë dëshira ime të bëj një kamp me lojtarët e klubeve të Kosovës sepse nuk i kam njoftuar. Është më ndryshe t’i njoh nga afër. Stërvitja ka qenë shumë e mirë, më ka pëlqyer shumë”, ka thënë Bunjaku të martën për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ai ka theksuar se disa lojtarë mund të jenë konkurrentë për vend në përfaqësuese.
“Dua që gjatë këtyre tri ditëve të shoh se kush prej tyre mund të na ndihmojë në të ardhmen dhe mendoj se kemi disa lojtarë interesantë”, ka theksuar Bunjaku.
Ai në vitin 2022 i dha fund karrierës si lojtar. Një vit më vonë FFK-ja i organizoi ceremoni përshëndetëse nga përfaqësuesja e Kosovës.
Bunjaku i ishte bashkuar Kosovës në vitin 2014, ndërsa ka shënuar tre gola në gjashtë ndeshje. Luajti në miqësoren e parë zyrtare, atë ndaj Haitit. Shënoi golin e parë të Kosovës në ndeshjet e njohura nga FIFA. Realizoi ndaj Turqisë në miqësore, më 21 maj të vitit 2014. Shënoi edhe golin e parë pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Më 3 qershor të vitit 2016, 41-vjeçari shënoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Ishujve Faroe.
Gjashtë ndeshje i ka luajtur edhe për Zvicrën. Për shtetin helvetik Bunjaku luajti në Kupën e Botës në vitin 2010.
Bunjaku menjëherë pas përfundimit të karrierës së suksesshme si lojtar, nisi me profesionin e trajnerit. Ka qenë trajner te të rinjtë e Leverkusenit.
Ai ka bërë karrierë të madhe, sidomos në Gjermani. Në Bundesligë shënoi 13 gola.
Ndërkohë Rashkaj ishte kapiten i Kosovës në miqësoret e para zyrtare. Ka shkëlqyer sidomos ndaj Haitit.
Me punën e Bunjakut dhe stafit të tij janë ndarë të kënaqur edhe lojtarët.
Rin Ahmeti, i cili për herë të parë grumbullohet me Kosovën U19, thotë se puna me trajnerin Bunjaku ka qenë shumë e mirë. Ai pret të ftohet edhe në të ardhmen.
“Me punën e të gjithëve shpresoj do të ftohem edhe për ndeshjet kualifikuese”, ka deklaruar Ahmeti.
Edhe Omer Bajraktari vlerëson punën e Bunjakut.
“Ka shkuar shumë mirë me stafin dhe trajnerin Albert Bunjaku, i cili është trajner shumë korrekt. Na tregoi se përgjegjësitë në grupmoshën U19 janë më të mëdha, por besoj se me punë dhe angazhim, disiplinë, konsistencë, kjo arrihet gjithkund”, ka thënë Bajraktari.
Kosova U19 nën drejtimin e ish-selektorit Adil Maliqi kishte disa rezultate pozitive. Por, nuk ia doli të kualifikohet në Evropian. Tani ka shpresa se nën drejtimin e Bunjakut, Kosova mund të sigurojë kualifikim në Evropianin që mbahet në vitin 2026 në Uells. Ndeshjet kualifikuese zhvillohen duke nisur nga tetori.