Sulmuesi i Rubin Kazanit, Mirlind Daku, do t’i nënshtrohet një operimi muajin e ardhshëm, kanë raportuar të hënën mediumet ruse. Në fakt, edhe vet Daku kishte treguar më herët se do t’i duhet një ndërhyrje kirurgjike Ai është duke u përballur me një lëndim që një kohë të gjatë. Dhe, për shkak të lëndimit vlerësohet se Daku nuk po mund që të jap 100 për qind në fushë.

Nuk është bërë e ditur ende saktësisht se për çfarë lëndimi bëhet fjalë, por trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, ka thënë se gjendja fizike e reprezentuesit të Shqipërisë nuk është optimale.

“Ne kemi folur me Dakun dhe vendosëm që të prisnim, pasi ai dëshiron të përfundojë sezonin. Por unë e shoh gjendjen e tij. E shoh duke luftuar me këtë dhimbje. Në parim, ai nuk stërvitet me ekipin, gjendja e tij fizike nuk është optimale”, ka thënë Rakhimov.

27-vjeçari Daku është sulmuesi kryesor i Rubinit.

Daku ka realizuar 11 gola, ndërsa ka kontribuar me shtatë asistime në 24 ndeshjet e zhvilluara deri më tani.