Fenerbahçe e ka akuzuar trajnerin e Galatasarayt, Okan Buruk, duke thënë se ai ka reaguar “sikur të ishte qëlluar”, pas konfrontimit që e pati me trajnerin Jose Mourinho të mërkurën mbrëma. 

Në një komunikatë, Fenerbahçe e ka akuzuar Burukun për “sjellje jo të mira pas gjesteve me dorë”, për ta provokuar Mourinhon, shkruan BBC të premten. . 

Mourinho më pas e kishte kapur për hunde homologun e tij si kundërpërgjigje. 

Në ndeshjen për Kupë të Turqisë, të cilën Galatasaray e fitoi 2:1, pati tensione të shumta mes lojtarëve të të dyja skuadrave. 

“Ky ishte një provokim i planifikuar dhe si pjesë e planit, ai reagoi ‘sikur të ishte qëlluar’ dhe u rrëzua në tokë në mënyrë profesionale. Fjalët e tij pa respekt dhe reagimet e tij, janë të dokumentuara në video”, ka shkruar Fenerbahçe ndër të tjera në komunikatë. 

Në këtë ballafaqim, Mert Yandas i Fenerbahçes dhe Kerem Demirbay e Baris Yilmaz të Galatasarayt, u ndëshkuan me kartonë të kuq për përfshirje në incidentin që ndodhi në minutat shtesë. 

Rasti i Mourinhos me Burukun ndodhi pas përfundimit të sfidës. 

Me fitoren 2:1, Galatasaray e siguroi gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë ku do të ballafaqohet me Konyasporin më 22 prill.