Ikona e Bayern Munichut, Thomas Muller, do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni, pas 25 vjetëve të mbushura me trofe. Lajmin e bëri të ditur vetë lojtari përmes një postimi në rrjetet sociale të shtunën, duke sqaruar se klubi nuk i ofroi kontratë të re.

Mesfushori sulmues 35-vjeçar, i cili iu bashkua akademisë së Bayernit si i ri dhe fitoi 12 tituj kampioni në Bundesligë – më shumë se çdo lojtar tjetër në histori – ka thënë se do të kishte dashur të vazhdonte edhe një sezon tjetër.

“Edhe pas gjithë këtyre viteve, pavarësisht minutave që marr në fushë, ende më pëlqen shumë të jem aty me djemtë dhe të luftoj për tituj. Mund ta imagjinoja veten lehtësisht edhe sezonin tjetër në këtë rol. Por klubi zgjodhi të mos diskutojë një kontratë të re me mua. Edhe pse kjo nuk përputhet me dëshirën time personale, e respektoj vendimin dhe e kuptoj që është marrë me shumë kujdes nga bordi dhe drejtuesit”, ka shkruar Muller.

Aktualisht, Muller ka rol më të kufizuar nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompany, pasi minutat e tij në fushë kanë rënë ndjeshëm në dy sezonet e fundit. Megjithatë, ai nuk ka bërë të ditur ende se cili do të jetë hapi i radhës në karrierën e tij.

Pavarësisht kësaj, Bayerni ka lënë të kuptohet se dëshiron ta mbajë Mullerin të përfshirë në klub edhe pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist aktiv.

Në një njoftim zyrtar, klubi konfirmoi se vendimi për t’i dhënë fund bashkëpunimit u mor në koordinim me lojtarin dhe se Muller do të ketë rastin të përshëndetet me tifozët në paraqitjet e fundit, përfshirë ato në Kupën e Botës për Klube që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara.

Një ikonë e vërtetë e “një klubi, një lojtari”, Muller ka fituar gjithashtu dy tituj të Ligës së Kampionëve, gjashtë Kupa të Gjermanisë dhe dy Kupa të Botës për Klube me Bayernin, ndërsa me përfaqësuesen e Gjermanisë ishte kyç në fitoren e Kupën së Botës 2014.

Mulleri mund të mbyllë karrierën te Bayerni me stil, pasi klubi aktualisht është në krye të Bundesligës dhe pritet të përballet me Interin në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Finalja e këtij edicioni të Championsit do të zhvillohet në “Allianz Arena”, mundësi perfekte për një përshëndetje madhështore.