Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar me dhimbje të thellë pas një ngjarjeje tragjike që ndodhi këtë të diel gjatë ndeshjes gjysmëfinale të kampionatit amator “FSHF Sunday League Albania”, mes FC Dajtit dhe FC Lumninese, e zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.

Futbollisti i FC Dajtit, Bledar Hajdari, ka shfaqur probleme të papritura shëndetësore dhe është rrëzuar papritur në fushën e lojës. Sipas njoftimit të FSHF-së, ndihma e shpejtë ka ndërhyrë menjëherë dhe ai është transportuar urgjentisht drejt Spitalit të Traumës.

Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve mjekësore për ta shpëtuar, futbollisti nuk ka arritur të mbijetojë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hajdari dhe klubin FC Dajti, duke e cilësuar këtë humbje si një moment që ka tronditur gjithë komunitetin e futbollit në vend.

“Në këto momente të vështira, FSHF qëndron pranë familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve të Bledar Hajdarit, duke ndarë me ta dhimbjen për këtë ndarje të parakohshme dhe të rëndë,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Komuniteti sportiv shqiptar është bashkuar në mesazhe solidariteti dhe pikëllimi për një ngjarje që ka lënë pa fjalë të gjithë ata që ndjekin futbollin me pasion.