Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka dalë me reagim pas njoftimit se Federata e Futbollit e Serbisë ka hequr simbolet e Kosovës në Kongresin e 49-të të UEFA-s që u mbajt në Beograd. FFK-ja ka shkruar se Kosova mori pjesë me simbole shtetërore në Kongresin e UEFA-s në Beograd. Megjithatë, faktet tregojnë të kundërtën. Kosova ishte i vetmi vend që gjatë mbledhjes fillimisht e kishte flamurin e më pas vetëm logon e Federatës.

Pjesëmarrës në Kongres ishin kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner.

Në shkrimin sqarues të FFK-së shkruan se Kosova u prezantua me simbolet e saj shtetërore. Deklarimin e Federatës së Futbollit të Serbisë e ka cilësuar të pabazë.

“E kuptojmë se prania e delegacionit të Kosovës në kryeqytetin serb, si dhe fakti që flamuri i shtetit tonë valëviti përkrah atyre të shteteve të tjera, vazhdon të jetë i papranueshëm për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi. Megjithatë, shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt që ta pranojnë këtë, aq më shpejt do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve sportive dhe shtetërore”, shkruan FFK-ja të enjten.

Momenti kur organizatori largon simbolet e Kosovës nga Kongresi i UEFA-s në Beograd

Gjatë ditës së djeshme, janë publikuar foto e video nga Qendra e Kongresit “Sava” ku u mbajt Kongresi i UEFA-s ku shihej kryetari i FFK-së, Agim Ademi duke prekur flamurin e Kosovës. Videoja u bë virale në rrjetet sociale.

Në reagim të enjten, Federata e Serbisë akuzoi Ademin se u përpoq  ta shfrytëzonte ngjarjen për interesa jofutbollistike. Ka bërë të ditur po ashtu se kanë hequr të gjitha simbolet që përfaqësojnë Kosovën.

Por në FFK insistojnë se Kosova u paraqit me simbole shtetërore në Kongresin e mbajtur në Serbi.

“Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”, shkruan FFK.

FFK ka falënderuar në fund të shkrimit UEFA-n për “trajtimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë”.