Kosova ka vazhduar me përgatitje për ndeshjen e radhës në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kosova më 8 prill në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret Maqedoninë e Veriut. Ndeshja, që nis në orën 14:00, i takon Grupit 6, aty ku Kosova e ka një fitore e një humbje. Fitoi thellë pikërisht ndaj Maqedonisë së Veriut 4:0, ndërsa humbi nga Letonia 1:0.

Për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut nuk është ftuar Edona Kryeziu, që po luan me sukses te Dinamo e Zagrebit. 29-vjeçarja është futbollistja e dytë me më së shumti paraqitje me “Dardanet”. Ajo ka 55 paraqitje, pesë më pak se Kaltrina Biqkaj që e mban rekordin. Ka qenë edhe kapitene e Kosovës, ndërsa tani shiritin në krah e mban Erëleta Memeti. Sqarime pse Kryeziu nuk është ftuar për këtë grumbullim nuk ka dhënë përzgjedhësi Sami Sermaxhaj. KOHA nuk ka marrë përgjigje as nga Federata e Futbollit e Kosovës.  

Por futbollistet e tjera të ftuara thonë se po përgatiten maksimalisht për të arritur tjetër rezultat pozitiv. Modesta Uka, që nuk ishte e grumbulluar për ndeshjen me Letoninë, pret pikët e plota të martën.

“Jemi duke u përgatitur me shumë stërvitje për të martën kundër Maqedonisë së Veriut. Po e japim maksimumin në secilën stërvitje, shpresojmë që të fitojmë të martën. Së fundmi kundër Letonisë nuk isha e grumbulluar, sepse kam pasur lëndim. Kësaj radhe jam këtu dhe besoj që do të shkojë gjithçka mirë”, ka deklaruar Uka që aktivizohet në sulm.

Mbrojtësen Rrezona Ramadani e ka gëzuar fakti që në skuadër nuk ka lëndime. Edhe Ramadani ka thënë për faqen zyrtare të FFK-së se pret fitore.

“Fatmirësisht ndeshjen e parë e kemi fituar me rezultatin bindës, 4:0. Shpresoj që edhe në këtë ndeshje të triumfojmë. Besoj se kemi pasur mjaftueshëm ditë që ta përgatisim atë ndeshje, të përmirësojmë edhe gabimet që kemi bërë në ndeshjen e dytë dhe shpresoj që të triumfojmë sërish të martën. Atmosfera është shumë e mirë. Kemi qenë së bashku gjatë gjithë këtyre ditëve. Nuk kemi pasur mungesa, lëndime. Kjo është mbi të gjitha e rëndësishme. Shpresoj që edhe këto tri ditë të na mjaftojnë që të përgatitemi mirë për atë ndeshje”, është shprehur Ramadani.  

Pas humbjes nga Letonia vendi i parë në grup, që synohet nga Kosova, është goxha në rrezik. Më 3 qershor është ndeshja e fundit e kësaj kampanje, Letoni – Kosovë. Mund të jetë “finale” për vendin e parë.

Fituesit e gjashtë grupeve sa janë gjithsej promovohen direkt në Ligën B të Ligës së Kombeve.