Kosovare Asllani vazhdon të jetë shumë e rëndësishme për përfaqësuesen e Suedisë në futboll.
Të premten mbrëma Kosovarja ishte kapitene e Suedisë në fitoren e vështirë ndaj Italisë. Për mesfushoren 35-vjeçare ishte ndeshja e 195-të për Suedinë. Asnjë futbollist shqiptar nuk është as afër kësaj shifre të ndeshjeve ndërkombëtare.
Dhe në ndeshjen e 195-të, Kosovarja ka shënuar gol. Është goli i saj i 48-të me Suedinë.
Suedia arriti fitore 3:2 ndaj Italisë në Solna. Ndeshja ishte e vlefshme për Ligën A të Ligës së Kombeve. Suedia është në Grupin 4, ndërsa udhëheq me shtatë pikë nga tri ndeshje.
Në ndeshjen ndaj Italisë, Asllani shënoi në minutën e 56-të për 1:1. Italia realizoi për 1:0 që në minutën e parë të ndeshjes. Emma Severini ishte realizatore. Me golin e Filipa Angeldahl në minutën e 75-të, Suedia kaloi në epërsi 2:1. Por dhjetë minuta më pas për 2:2 realizoi Michela Cambiaghi. Ndërkohë Fridolina Rolfo e shënoi golin e fitores për Suedinë në minutën e 95-të. Ajo ishte e saktë nga pika e bardhë.
Asllani luajti deri në minutën e 73-të. Ajo aktualisht është pjesë e skuadrës angleze London City Lionesses.