Futbollistja e Dinamo Zagrebit, Edona Kryeziu, ka thënë se ka dashur të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, por ka mbetur e zhgënjyer që nuk është ftuar.

Megjithatë, ajo ka thënë se e pranon vendimin e selektorit Sami Sermaxhaj. Kryeziu 29-vjeçare për Kosovën ka luajtur 55 ndeshje. Është lojtarja e dytë me më së shumti paraqitje te Kosova pas Kaltrina Biqkajt me 60 ndeshje. Kryeziu më herët ka qenë edhe kapitene e Kosovës. Aktualisht shiritin e kapitenes e mban Erëleta Memeti. 

Kosova ndaj Maqedonisë së Veriut luan të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve.

“Është hera e parë që nuk jam e ftuar dhe jam e zhgënjyer, pasi jam në formë shumë të mirë. Nuk e di arsyen pse nuk jam ftuar, sepse nuk më ka kontaktuar askush, por le të mbetet te trajneri, sepse mendoj se ai ka arsyet e veta. Unë kam qenë dhe jam e gatshme gjithmonë për Kosovën. Kam qenë e gatshme edhe atëherë kur Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA, ndonëse kisha ftesë nga Shqipëria. Por prita Kosovën, edhe pse nuk është gabim të luash për Shqipërinë, pasi ne jemi një. Unë nuk do të ndalem. Do të punoj fort për t’u kthyer sërish te Kosova”, ka thënë Kryeziu.

KOHA ka kërkuar sqarim edhe nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj. Por deri në publikimin e këtij shkrimi, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Kosova në dy ndeshjet e para Kosova ka regjistruar një fitore e një humbje. Fitoren e arriti ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa dëshpëroi në Prishtinë më 25 shkurt. U mposht nga Letonia.

Pas humbjes nga Letonia, vendi i parë në grup, që synohet nga Kosova, është goxha në rrezik. Më 3 qershor është ndeshja e fundit e kësaj kampanje, Letoni – Kosovë. Mund të jetë “finale” për vendin e parë.