Portieri i parë i Kosovës, Arijanet Muriq, është gjobitur me 28 mijë e 134 euro dhe i janë hequr gjashtë pikë nga patentë-shoferi pasi u shpall fajtor për dy shkelje gjatë drejtimit të automjetit. 
Muriq 26-vjeçar ka pranuar fajësinë e tij në gjykatë për drejtimin e automjetit pa sigurim dhe përdorim të telefonit.

Portieri i Ipswich Townit, që garon në Premier League të Anglisë, po drejtonte një “Bentley Bentayga” në rrugën St. Margarets të Ipswichit më 14 gusht të vitit të kaluar. 

Ai kishte shkelur rregullat e trafikut tri ditë para ndeshjes së parë të edicionit aktual në Premier League kundër Liverpoolit, në të cilën nuk u paraqit.

Muriq, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën para gjykatësve, u gjobit me 25 mijë euro për shkeljet e bëra. Fillimisht kishte ofruar një deklarim të pafajësisë, deklaratë e cila më vonë u ndryshua në një pranim të fajësisë, e cila u mor parasysh gjatë caktimit të dënimit.

Përveç gjobës, Muriq u urdhërua të paguante një shtesë prej 2392 euro si dhe 131 euro për procedurë ligjore, duke çuar totalin që i detyrohet gjykatës në 28 mijë e 134 euro.
Ipswichi transferoi portierin e Kosovës nga Burnley në afatin kalimtar të verës së vitit të kaluar për një dëmshpërblim prej 10 milionë euro.

Muriq me skuadrën elitare të Anglisë ka kontratë edhe tri vjet.

Në fillim të javës, trajneri Kieran McKenna zbuloi se Muriq kishte pësuar një lëndim në shpatullën e tij gjatë grumbullimit me Kosovën. Ai ka thënë se Muriq duhet t’i nënshtrohet një operimi që pritet ta mbajë jashtë fushës “për një periudhë prej disa muajsh”.