Manchester United – Manchester City do të jetë kryendeshja e xhiros së 31-të në Premier League.

Derbi i Manchesterit zhvillohet të dielën nga ora 17:30 në “Old Trafford”.

Dy gjigantët e futbollit kanë pasur shumë probleme këtë edicion.

Dëshpërimi më i madh i sezonit është skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola, City.

City rrezikon që të mos paraqitet në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.

Aktualisht renditet në pozitën e pestë me 51 pikë. Pozita e pestë të dërgon në Ligën e Evropës. Vetëm katër pozitat e para në Premier League dërgojnë në “Champions”.

Newcastle Unitedi ka një pikë më pak se City dhe renditet në pozitën e gjashtë. Ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

City nuk ka treguar rezultate as në EFL Cup dhe “Champions”.

Në Ligën e Kampionëve u eliminua nga Real Madridi në plejofin e fazës nokaut.

Ndërsa në EFL Cup u mposht nga Tottenham Hotspuri në një të tetën e finales.

City është në gjysmëfinale të Kupës FA ku do të përballet me Nottingham Forestin më 27 prill.

Unitedi ka pasur kampanjë edhe më të keqe.

Skuadra e drejtuar nga Ruben Amorim ka dhjetë fitore, shtatë barazime dhe 13 humbje. Renditet në pozitën e 13-të me 37 pikë. “Djajtë e kuq” janë eliminuar nga garat për kupa kurse janë në çerekfinale të Ligës së Evropës. Më 10 prill do të takohen me Lyonin.

City ka fituar dhjetë nga 18 ndeshjet e fundit në Premier League ndaj Unitedit.

Të total skuadrat janë takuar 185 herë.

Unitedi ka 75 fitore, City 59 dhe 51 herë ndeshjet kanë përfunduar baras.

Të dielën luan edhe lideri aktual i kampionatit anglez, Liverpooli.

Liverpooli nga ora 15:00 takohet në udhëtim me Fulhamin.

Skuadra e drejtuar nga trajneri, Arne Slot, e mban pozitën e parë me 73 pikë. Fulhami është në vendin e nëntë me 45 pikë.

Nga ora 15:00 të dielën luhen edhe ndeshjet Brentford – Chelsea dhe Tottenham – Southampton.

Xhiroja e 31-të hapet të shtunën me ndeshjen Everton – Arsenal që luhet nga ora 13:30.