Skuadra e Prishtinës është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në futboll. Prishtina të shtunën pasdite e mposhti në udhëtim Suharekën me rezultatin e thellë, 4:0.

Për skuadrën nga kryeqyteti kjo ishte fitorja e dytë rresht në të gjitha garat.

Prishtina të mërkurën e fitoi gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kosovës. E mposhti Dritën në Gjilan me rezultatin 1:0. Ndeshja e kthimit luhet më 23 prill.

Goli i parë u realizua nga Ardian Limani me kokë në minutën e 39-të.

Dion Gallapeni realizoi për 2:0 në minutën e 51-të.

Limani e shënoi golin e dytë personal dhe të tretin në ndeshje në minutën e 66-të.

Goli i katërt u shënua në minutën e 82-të.

Prishtina nga minuta e 79-të luajti me një futbollist më pak në fushë.

Suhareka renditet në pozitën e tetë me 32 pikë. Prishtina ka gjashtë pikë më shumë dhe e zë vendin e katërt.