Trajneri francez Jean-Michel Cavalli ishte prezantuar më 9 qershor të vitit të kaluar si trajner i ri i Prishtinës. Pas zyrtarizimit kishte deklaruar se e njeh futbollin e Kosovës. Pati lëvdata për stadiumin e tifozët e klubit. Synim bashkë me zyrtarët e klubit e kishte daljen në Evropë. Por, nëntë xhiro pa përfunduar kampionati, Prishtina është më afër rënies nga elita e futbollit kosovar, sesa arritjes së kupave evropiane për edicionin tjetër. Prishtina është e pesta në tabelën e Superligës me 35 pikë pas 27 ndeshjeve, aq sa ka edhe Ferizaj në vendin e gjashtë. Suhareka e shtata ka 32 pikë, sa ka edhe Dukagjini në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit. Dukagjini e ka një ndeshje më pak të luajtur. Me 30 pikë është Llapi në vendin e parafundit, të nëntin, ndërsa Feronikeli 74 është i fundit me 14 pikë. Ndeshja e fundit e xhiros është ajo mes Dukagjinit dhe Llapit që luhet të dielën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Kryetari i klubit Prishtina, Rrahman Haradini, ka deklaruar për KOHËN të shtunën se nuk beson se skuadra do të bjerë nga liga apo të luajë në barazh.

“Nuk besoj se do të biem nga liga. Nuk besoj se rrezikohemi për barazh. Por, kjo është edhe përgjegjësi e drejtorit sportiv tash me vendosjen e trajnerit dhe me ekipin”, ka deklaruar Haradini, kryetar i klubit kryeqytetas.

Prishtina telashet me financa i ka kaluar tash e një kohë, por i mungojnë rezultatet. Një ditë pas humbjes nga Suhareka, Prishtina njoftoi se trajneri Cavalli nuk do të jetë më në krye të klubit. Sipas njoftimit të “bardhekaltërve”, ai largohet për arsye shëndetësore.  

“Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe pas një marrëveshjeje të përbashkët, FC Prishtina ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Jean-Michel Cavalli. E falënderojmë trajnerin Cavalli për përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së tij në klub, duke i uruar shëndet të plotë dhe shumë suksese në të ardhmen, si në aspektin personal ashtu edhe profesional”, ka shkruar Prishtina në Facebook të shtunën.

Kryetari Haradini nuk ka dhënë informata se kush mund të jetë trajneri i ardhshëm, por ka thënë se trajneri i ri do të zyrtarizohet shpejt.

Cavalli largohet nga Prishtina pas 28 ndeshjeve. Pati 11 fitore, dhjetë barazime e shtatë humbje, me 45 gola të shënuar e 29 të pranuar. E udhëhoqi skuadrën drejt gjysmëfinales së Kupës së Kosovës. Prishtina luan ndaj Dritës në gjysmëfinale më 9 prill. Ndeshja kthyese është më 23 prill. Kualifikimet në kupat evropiane mund të sigurohen edhe përmes triumfit në këtë garë. Por, marrë për bazë paraqitjet e Dritës në Superligë, do të jetë e vështirë për Prishtinën. Drita është lidere në Superligë me 60 pikë, 13 pikë më shumë se Ballkani i vendit të dytë.

Cavalli ka përvojë të gjatë të fituar gjatë karrierës prej tri dekada e gjysmë. Së fundi ishte te Club African në Tunizi. Drejtoi Oranin në Algjeri, Al Ittihad Alexandrian në Egjipt, Al Hilalin në Sudan. Në Francë ka drejtuar klube të njohura si Lille, RC Paris, Creteil, Ajaccio. Ka punuar edhe në Greqi, Arabi Saudite, Marok, Itali.

Sa u takon përfaqësueseve, pos Nigerit ka drejtuar edhe Algjerinë.

Prishtina që ka histori 103-vjeçare, prej pavarësimit të futbollit të Kosovës gjatë viteve ’90, numëron 11 tituj të kampionit, tetë Kupa e 11 Superkupa. Ka luajtur disa herë në Evropë.