Ndeshja më interesante këtë fundjavë në kampionatin italian të futbollit është ajo ndërmjet Romës dhe Juventusit.

Derbi Roma – Juventus luhet të dielën nga ora 20:45 dhe i takon javës së 31-të të Serie A.

Roma konsiderohet favorite në këtë ndeshje për shkak të ecurisë së mirë që po e ka në ligë. Nën drejtimin e trajnerit Claudio Ranieri, Roma ka 14 ndeshje pa humbje.

Roma është në vendin e gjashtë me 52 pikë. Juventusi ka tri pikë më shumë dhe renditet një pozitë më lart.

Juve është e pamposhtur në tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në ligë ndaj Romës.

Dy ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave kanë përfunduar baras.

Juventusi së fundi ndërroi trajnerin. Igor Tudor debutoi me fitore.

Të dielën luhet edhe një ndeshje tjetër interesante, ajo mes Atalantas dhe Lazios. Kjo ndeshje nis në ora 18:00.

Lazio ka 52 pikë në vendin e shtatë. Atalanta ka gjashtë pikë më shumë dhe renditet në pozitën e tretë.

Ndërkohë të shtunën nga ora 20:45, Milani e pret Fiorentinan. “Kuqezinjtë” kanë 47 pikë dhe e zënë vendin e nëntë. Fiorentina është një pozitë më lart me katër pikë më shumë.

Lider në elitën e futbollit italian është Interi me 67 pikë. Të shtunën nga ora 18:00 Interi luan në udhëtim te Parma.

Parma e zë vendin e 16-të me 26 pikë. Po lufton për mbetje në ligë.

Xhiroja e 31-të mbyllet të hënën me ndeshjen Bologna – Napoli që zhvillohet nga ora 20:45. Skuadra e Amir Rrahmanit, Napoli, është në vendin e dytë me 64 pikë.

Bologna renditet në pozitën e katërt me 56 pikë.