Xherdan Shaqiri e ka regjistruar edhe asistimin e 14-të krahas dhjetë golave të shënuar në Superligën e Zvicrës. Dy gola e një asistim, 33-vjeçari i ka në Kupën e Zvicrës. 

Shaqiri të enjten mbrëma asistoi në golin për 1:0 të shënuar në minutën e 16-të nga Dominik Schmid. 

Baseli në shtëpi e fitoi 2:1 ndeshjen e xhiros së 30-të të elitës helvetike ndaj Grasshopperit. 

Shaqiri e kompletoi ndeshjen bashkë me Leon Avdullahun në mesfushë, kurse Albian Ajeti luajti deri në minutën e 74-t. 

Amir Abrashi ishte në bankën rezervë te Grasshopperi. 

Me këtë fitore, Baseli kthehet në vendin e parë me 52 pikë, një më shumë se Servette që është në vendin e dytë.