Kongresi i 49-të i UEFA-s përfundoi me sukses. Të paktën sa i takon Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe nikoqires së kësaj ngjarjeje, Federatës së Futbollit të Serbisë.

Federata serbe ka shkruar se Kongresi i mbajtur të enjten është më i miri që UEFA e ka organizuar në 20 vjetët e fundit.

Për Kosovën, Kongresi i UEFA-s mund të jetë çdo gjë, por jo edhe i suksesshëm. Drejtuesit e federatës kosovare kanë kuptuar se kur bëhet fjalë për ngjarjet në Serbi, duhet të kalojë ende kohë që Kosova të trajtohet e barabartë.

Kosova është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s që nga viti 2016. Përfaqësueset e Kosovës marrin pjesë në të gjitha garat e UEFA-s, njëjtë si klubet. Miliona euro përfiton futbolli kosovar çdo vit nga Konfederata Evropiane.

Për të shmangur komplikimet, UEFA nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë në nivel përfaqësuesesh, por as me klube. Madje UEFA nuk lejon as përballjet e Kosovës me Bosnjë-Hercegovinën dhe me Rusinë.

Për herë të parë UEFA është sfiduar për prezantim të Kosovës në territorin e Serbisë të enjten. Dhe lejoi që Kosova mos të trajtohet e barabartë me të gjitha shtetet tjera anëtare të saj.

Pa nisur Kongresi, flamujt e Kosovës u larguan nga salla ku u zhvilluan punimet. Të gjitha delegacionet kishin para flamujt e vendeve të tyre, por jo edhe i Kosovës. Në vend të flamurit ishte logoja e FFK-së.

Të enjten paradite Federata e Futbollit e Serbisë njoftoi për largimin e flamujve të Kosovës. Pra flamujt i larguan serbët. Komunikata megjithatë lë dyshime që kjo të jetë bërë në koordinim apo me leje të UEFA-s. Organizimi i Kongresit është kompetencë e UEFA-s, ndërsa Federata serbe ishte vetëm nikoqire.

“Kemi reaguar së bashku, shpejt dhe me vendosmëri dhe me përgjegjësi të plotë njoftojmë opinionin që në Kongresin e UEFA-s nuk ka kurrfarë flamuri apo simbol të ashtuquajturës Kosovë”, shkruan në komunikatën e Federatës së Futbollit të Serbisë.

Nuk është sqaruar se me kë Federata serbe “reagoi së bashku”. KOHA ka pyetur të premten federatën serbe nëse “me reagimin së bashku” ishte fjala për UEFA-n, si organizatore e ngjarjes. Por nuk mori përgjigje.

UEFA ka lëshuar disa njoftime për Kongresin në Beograd, por pa përmendur rastin për flamurin e Kosovës. Ndërkohë, nuk është përgjigjur në pyetjet që i janë bërë për këtë temë. Incidenti me flamur nuk është përmendur as nga Federata Shqiptare e Futbollit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është njëri prej nënpresidentëve të UEFA-s.

Nuk ka pasur ndonjë reagim apo kundërshtim publik nga FSHF-ja për incidentin.

Flamuri i Kosovës ishte fillimisht në sallën ku u mbajt Kongresi. Të mërkurën mbrëma, kryetari i FFK-së, Agim Ademi kishte bërë një video te flamuri i Kosovës, në korridorin e qendrës “Sava”. Videoja, që fillimisht ishte publikuar në media tiranase, u shpërnda shumë më pas.

Po të mërkurën  mbrëma huliganë serbë dogjën një flamur të Kosovës në afërsi të qendrës “Sava” që u raportua të jetë ai tek i cili Ademi kishte bërë videon.

Në një komunikatë jo shumë të qartë, FFK-ja tha se “Kosova mori pjesë në Kongresin e UEFA-s në Beograd me simbolet shtetërore”. Ndërkohë, publikoi fotografinë nga momenti kur flamuri i vogël i Kosovës, i vendosur në një kornizë xhami, largohej nga salla.

Ndonëse në Kongresin e UEFA-s u largua flamuri i Kosovës, FFK-ja ka falënderuar Konfederatën Evropiane “për trajtimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë”.

Drejtuesit e FFK-së qëndruan në Kongres edhe pasi u larguan simbolet. Dhe këtë jo të gjithë në vend e kuptuan.

Në fakt qëndrimi anti-Kosovë i Serbisë dhe i serbëve nuk është asgjë e re. Serbët vazhdimisht angazhohen për të dëmtuar sportin kosovar dhe Kosovën në përgjithësi. Por jo të gjithë e kanë pritur që UEFA do të lejojë që në një aktivitet të rëndësishëm të saj, të largohet flamuri i një shteti anëtar.