Golden Eagle Ylli – Vëllaznimi është ndeshja e rëndësishme e së mërkurës, që i takon xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në basketboll.  Është kjo xhiroja e parafundit e stinorit të rregullt, që ka peshë në renditjen përfundimtare të skuadrave.

Ylli është në seri impresive, gjatë të cilave i ka mposhtur katër skuadrat pretendente, Trepçën, Prishtinën, Pejën e së fundi Bashkimin. Në moment të mirë është edhe Vëllaznimi, që javën e kaluar e fitoi Ligën Unike.

Dy skuadrat i kanë nga 39 pikë, ndërsa mbajnë pozitat pesë e gjashtë. Vëllaznimi është i pesti e Ylli i gjashti. Të dy skuadrat pretendojnë të paktën vendin e pestë për plejof, ndërsa me fitore kanë gjasa edhe për vendin e katërt, që e mban Peja me 40 pikë.

Rrjedhimisht pritet ndeshje e fortë dhe shumë interesante në Suharekë.

Ndeshja fillon në orën 19:00.

Në termin të njëjtë të mërkurën është takimi Bora – Proton Cable Prizreni. Kjo ndeshje nuk ka ndikim në renditje. Bora përfundon e shtata dhe luan në plejaut, ndërsa Prizreni përfundon i teti dhe do të luajë në Ligën e Parë në edicionin e ardhshëm.

Të enjten prej orës 19:00 janë dy ndeshje të tjera vendimtare: Sigal Prishtina – Bashkimi dhe Peja – Trepça.