Sot është hedhur shorti për raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku tre ekipe shqiptare kanë mësuar kundërshtarët e tyre për sfidat evropiane që i presin në muajin korrik.

Shkëndija e Tetovës, kampione e Maqedonisë së Veriut, do të përballet me ekipin nga Uellsi, New Saints FC. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Uells më 8 ose 9 korrik, ndërsa takimi i kthimit më 15 ose 16 korrik.

Drita e Gjilanit, kampione e Kosovës, do të ketë përballë kampionin e Luksemburgut, Differdange 03. Ndeshja e parë do të luhet në Gjilan, ndërsa ajo e kthimit në Luksemburg, me të njëjtat data të përcaktuara nga UEFA.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka komentuar shortin duke u shprehur i matur, por optimist:
“Ishim të përgatitur për çdo kundërshtar. Në këtë fazë të garave evropiane nuk ka kundërshtarë të lehtë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, por do të respektojmë çdo kundërshtar dhe kam shumë besim se me grupin që kemi, mund të arrijmë rezultate të mira. Na mbetet të punojmë fort, të bëjmë analiza të detajuara për kundërshtarin, dhe në fund le të flasë fusha.”

Ndërkohë, kampionia e Shqipërisë, Egnatia, do të përballet me ekipin islandez Breidablik. Ndeshja e parë do të luhet në Shqipëri më 8 ose 9 korrik, ndërsa ajo e kthimit në Islandë më 15 ose 16 korrik.

Me hedhjen e shortit, të tre klubet shqiptare tashmë kanë të qartë rrugën që i pret në këtë fazë të parë të Ligës së Kampionëve, ku çdo ndeshje do të jetë vendimtare për të vazhduar më tej aventurën evropiane.