Pas humbjes turpëruese të KF Drenicës ndaj KF Ballkanit, grupi i tifozëve “Shqiponjat e Zeza” ka dalë me një reagim të fortë, duke paralajmëruar bojkot të ndeshjeve të skuadrës deri në shkarkimin e trajnerit Bylbyl Sokoli.

Në reagimin e tyre, tifozët theksojnë se arsyet për këtë vendim janë të qarta dhe të padiskutueshme. Përveç mungesës së rezultateve pozitive në fushë, ata akuzojnë trajnerin për arrogancë si ndaj tifozëve, ashtu edhe ndaj vetë lojtarëve.

Sipas “Shqiponjave të Zeza”, në ndeshjen e fundit Sokoli nuk lejoi futbollistët të vinin pranë tifozëve për të kërkuar falje pas rezultatit zhgënjyes – një veprim që tifozët e cilësojnë si të papranueshëm dhe të patolerueshëm.

Kërkojmë nga klubi që menjëherë të marrë parasysh kërkesën tonë dhe të reagojë pa vonesë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë të mos na fajësojë askush për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim“, thuhet në reagimin e tifozëve.

“Shqiponjat e Zeza” e mbyllin reagimin e tyre duke theksuar se do të jenë gjithmonë në mbështetje të klubit, por kurrë në heshtje ndaj padrejtësive.