Përzgjedhësi Franco Foda ka bërë të ditur se ndaj Sllovenisë do të mungojë Lumbardh Dellova. 

Dellova ka pasur paraqitje të mira për Kosovën, por për shkak të lëndimit nuk do të luajë të premten mbrëma. 

“Dellova është i lënduar dhe nesër nuk do të luajë për Kosovën”, ka deklaruar Foda. 

Përzgjedhësi i Kosovës ka folur edhe për një fitore ndaj Sllovenisë në të kaluarën, kur e drejtoi Austrinë. 

“Jam përballur dy herë si trajner i Austrisë ndaj Sllovenisë në kualifikimeve të ndryshme. Kemi fituar edhe 1:0. Ka qenë vështirë sepse Sllovenia ka defensivë të mirë dhe pranon pak gola. Për ne është e rëndësishme është të koncentrohemi në mbrojtje dhe të shënojmë gola. Kemi edhe publikun prapa nesh, “Dardanët”, duhet të luajmë para dhe të krijojmë mundësi shënimi. Kjo është e rëndësishme, të shënojmë”, theksoi Foda. 

Foda ka treguar se pjesa tjetër e ekipit është mirë. 

“Atmosfera është e mirë, përpos Dellovës janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për lojë. Tani e kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Do të koncentrohemi në aspektin taktik. Shpresoj se nuk do të kemi të tjera lëndime. Jam më se i bindur se para publikut tonë, në vendin tonë, do të kemi paraqitje të mirë”, theksoi ai.