Trajneri francez dha një analizë të drejtpërdrejtë të fitores së Real Madridit ndaj Barcelonës, duke lavdëruar dominimin e “Los Blancos” dhe duke e përshkruar ndeshjen si “burrat kundër djemve”.
Ish-trajneri i Arsenalit, Arsène Wenger, bëri sërish deklarata të forta pas El Clásico-s së fundit në “Santiago Bernabéu”. Trajneri francez tha se Real Madridi ishte dukshëm superior ndaj Barcelonës si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.
“El Clásico ishte pak si një duel mes burrave dhe djemve. Mbrojtja e Real Madridit ishte shumë më e fortë se ajo e Barcelonës. Në sulm, Madridi gjithmonë dukej i aftë për të shënuar, ndërsa Barcelona ishte e pafuqishme,” tha ai.
Wenger analizoi se skuadra “azulgrana” i mungonte pjekuria konkurruese në një skenar me kërkesa të larta. Sipas tij, intensiteti dhe përvoja e skuadrës së bardhë bënë diferencën në një ndeshje që ata e dominuan që nga fillimi.
“Barça kishte shumë zotërim të topit, por nuk dukej kurrë e aftë për të shënuar gol. Kishte shumë pasime horizontale dhe pak rrezikim ndaj një mbrojtjeje vërtet të organizuar mirë. Ata (Real Madridi) fituan shumë duele,” shtoi francezi.
Ai gjithashtu theksoi qasjen e Xabi Alonsos në pankinën e Madridit. “I jap shumë meritë Xabi Alonsos. Ai e ekuilibroi mirë ekipin për të përfunduar si superior. U mbrojtën mirë, ushtruan presion mbi kundërshtarin dhe krijuan raste të rrezikshme, duke shënuar dy gola dhe duke humbur një penallti,” tha ai.
Trajneri veteran lavdëroi qëndrueshmërinë mbrojtëse të Real Madridit si një nga faktorët vendimtarë të fitores dhe beson se rezultati ishte i drejtë, pasi Barcelona mezi krijoi ndonjë rast të qartë për gol gjatë gjithë ndeshjes.



























