E gjithë vëmendja e shqiptarëve nga e gjithë bota sonte është në stadiumin “Dubocica” në Leskovc.
Aty, që në orën 20:45, Shqipëria do të përballet me Serbinë, ndeshje që zhvillohet si pjesë e eliminatoreve për Kupën e Botës 2026.
Ky është një duel që zgjon interes të madh, jo vetëm te shqiptarët, për shkak të historisë që mbart.
Megjithatë, ndonëse kjo përballje ka shkaktuar shumë zhurmë jashtë stadiumit, pritet një atmosferë e qetë sonte, për shkak të disa vendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Fillimisht, u mor vendimi për ta zhvendosur ndeshjen nga Beogradi në Leskovc, ndërsa më pas u vendos që të mos shiten bileta për këtë takim, duke bërë që pjesëmarrësit në tribuna të jenë të “përzgjedhur”.
Edhe pse stadiumi ka kapacitet mbi 8 mijë ulëse, për këtë përballje do të jenë të hapura vetëm 6,500 vende.
Për ndeshjen e sotme, Shqipëria mund të llogarisë në të gjithë lojtarët e saj, përveç Adiron Pajazit dhe Ardian Ismajlit, të cilët janë të dëmtuar. Nazmi Gripshi është ftuar për të mbuluar një boshllëk në listë.
Në anën tjetër, Serbia do të jetë pa Nikola Milenkoviçin (i pezulluar) dhe Sasa Lukiqin (i dëmtuar).
Shqipëria dhe Serbia janë përballur një herë më parë në këto kualifikime, me ndeshjen e zhvilluar në Tiranë më 7 qershor.
Ajo ndeshje përfundoi pa gola, 0-0, pasi Rei Manaj dështoi të realizonte nga penalltia në fund të pjesës së parë.
Më herët, Shqipëria dhe Serbia ishin përballur edhe në kualifikimet e EURO 2016.
Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në Beograd “në tavolinë”, pas vendimit të CAS-it, pasi lojtarët shqiptarë dhe stafi teknik u sulmuan.
Ndërsa ndeshjen e dytë, të zhvilluar në Elbasan, e fitoi Serbia me rezultatin 2-0.
Humbja e vetme e Shqipërisë në eliminatoret e Kupës së Botës ka qenë ndaj Anglisë, ku pësoi 2-0 jashtë fushe. Pas atij rezultati, fati i kuqezinjve ndryshoi ndjeshëm.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho arriti të shmangte humbjen në katër ndeshjet e radhës, duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime.
Ndeshja e fundit e tyre në këto kualifikime ishte një fitore 1-0 në shtëpi ndaj Letonisë.
Skuadra e Sylvinhos vjen në këtë përballje e pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe synon të vazhdojë këtë ecuri pozitive për të siguruar një rezultat të favorshëm sonte.



























